PD plan për shtyrjen e reformës
në drejtësi pas 2017, ja skenari

PD plan për shtyrjen e reformës<br />në drejtësi pas 2017, ja skenari
Opozita shqiptare synon shtyrjen e reformës në drejtësi pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, me qëllim për të minimizuar votat e palës kundërshtare, në betejën për një mandat të dytë qeverisës. Përpos shqetësimit për rrezikun që mund t’u kanoset nga drejtësia e re, palët duket se janë të shqetësuara dhe po merren edhe me llogaritë elektorale. Reforma në drejtësi është shpallur nga shumica në pushtet si kryereforma që do të shënjojë mandatin e saj të parë qeverisës dhe si e tillë, kjo reformë, mund të ketë edhe efektet e saj elektorale.

Fillimisht, opozita kushtëzoi konsensusin me mazhorancën për reformën në drejtësi, ndoshta për të provokuar zgjedhje të parakohshme, sikundër paralajmëruan Pandeli Majko dhe Taulant Balla. Por, më rënien e tezës së zgjedhjeve të parakohshme, opozita tashmë ka një plan tjetër.

Plani i bllokimit

Burime pranë grupit parlamentar demokrat kanë konfirmuar se plani parashikon shtyrjen e reformës në drejtësi pas zgjedhjeve parlamentare. Ndryshe nga argumentet publike të artikuluara nga kryetrari i opozitës, ky i fundit, u ka komunikuar deputetëve të besuar, se nuk mund t’i japë shumicës në pushtet një bonus elektoral, duke miratuar reformën në drejtësi. Pasojat elektorale të reformës në drejtësi për opozitën janë prekur përciptazi nga Basha edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Basha ka shprehur edhe një herë vendosmërinë për të mos u tërhequr nga tre kushtet, ndërsa ka theksuar edhe përdorimin elektoral të reformës nga kundërshtarët politikë. Në këto kushte, edhe pse koha ka treguar se kanë gjetur rrugën e kompromisit atëherë kur nuk pritej, ka shumë pak shpresë në horizont për një dakordësi mes opozitës dhe mazhorancës. Po ashtu, një tjetër arsye e zvarritjes së reformës lidhet edhe me progres-raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë.

Siç dihet, reforma në drejtësi është kushti kryesor për hapjen e negociatave për anëtarësim. Gjithsesi, përtej mosmarrëveshjeve dhe kushteve që ndryshojnë në varësi të rrethanave, çelësi i kompromisit duket se gjendet tek Berisha, zyrën e të cilit e vizitojnë shumë shpesh ambasadorët, madje edhe më shumë se zyrën e Bashës.

Presioni i BE-SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë shtuar presionin mbi palët politike për finalizimin e reformës në drejtësi. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, zbarkoi ditën e martë në zyrën e Bashës, ku në fokus mendohet se ka qenë reforma në drejtësi. Në të njëjtën kohë, ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ka caktuar muajin dhjetor si afatin e fundit kur duhet miratuar reforma në drejtësi. Nga ana tjetër, kryeministrit pati caktuar muajin mars si afatin kur duhej të miratohej reforma në drejtësi.

Mbledhja e grupit

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat janë hedhur në diskutim disa skenarë pas refuzimit të mazhorancës për plotësimin e kushteve. Për diskutim është hedhur sërish djegia e mandateve dhe bojkoti i plotë i Kuvendit, por megjithatë, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Pas mbledhjes, Basha u shpreh se vendimet do të merren në varshi të sjelljes së mazhorancës. 

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!