Shqipëria ka nevojë urgjente të luftojë realisht korrupsionin dhe për këtë arsye sipas Partisë Demokratike është e domosdoshme një paketë e re anti-korrupsion, të cilën ia kanë propozuar Parlamentit. Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, ka prezantuar dhe depozituar në kuvend 5 ndryshime ligjore të pjesës së “Paketës Anti-korrupsion”. Tabaku theksoi se kjo nismë vjen për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në të cilën korrupsioni është kthyer në gangrenë ndërsa të gjithë raportet ndërkombëtare drejtojnë gishtin tek problemi korrupsionit.
“Asnjëherë nuk ndiej kënaqësi kur lexoj raporte ndërkombëtare të cilët e citojnë Shqipërinë për situatën e korrupsionit ashtu siç është. Në fakt sot: 1. Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Transparency Intentional që nga viti 2016. 2. Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit, ku sot korrupsioni bëhet me ligje;12 ligje konsiderohen si ligje për kapjen e shtetit, 10 prej tyre janë miratuar në 9 vitet e fundit. 3. Korrupsioni është endemik dhe i përhapur në çdo institucion thotë Progres-Raporti, por njëkohësisht dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. 4. Raporti i Gjykatës Europiane të Auditimit thotë që 1 në 3, 30% jepen pa garë. 5. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konsideruar dëm ekonomik në 8 vitet e fundit 8 miliardë euro, buxheti i 2 viteve me radhë”, tha Tabaku.
Sipas saj të gjitha këto sot sigurisht që janë realitet që çdo shqiptar e ndjen çdo ditë në jetën e tij të përditshme.
“Në ditën e luftës ndaj korrupsionit, në 8 Dhjetor, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë do të prezantoj një paketë me 5 ligje që ne do të lançojmë sot. Kjo sigurisht që nuk do të kufizohet në vetëm këto propozime, por do të vazhdojë dhe do të pasurohet njëkohësisht dhe me propozime të tjera në kohë”, tha Tabaku teksa rreshtoi 5 projektligjet në të cilat ka propozuar amendimet përkatëse: Ligji për Prokurimet Publike; Ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik dhe Privat; Ligji për Planifikimin dhe Rregullimin e Territorit; Ligji për Investimet Strategjike; Ligji për Komisionet Hetimore.
“Unë besoj që qëllimi i çdo ligjvënësi është që të ngrejë barrierat mbrojtëse që duhet të ketë vendi ndaj korrupsionit. Natyrisht, mbetem e bindur që çdo gjë është në dorën e qeverisë shqiptare. Unë mbetëm e bindur që vullneti për ta luftuar korrupsionin është me qeverinë. Prandaj, këto amendime synojnë të forcojnë zbatimin e vullnetit të parlamentit dhe pakicës parlamentare, për të rritur kontrollin, llogaridhënien por atë çfarë është më e rëndësishme për të rritur përgjegjësinë finale të atyre që do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin e fondeve publike. Ne i japim zgjidhje problemeve kryesore që ekzistojnë duke filluar nga tenderat që sot janë pa garë, duke vazhduar me tenderat të cilët sot konsiderohen sekret; me burimet e financimit të kompanive të cilat sot janë kompani që nuk i njeh askush dhe bëjnë biznes me shtetin. Duke vazhduar me aksesin e informacionit, por njëkohësisht me transparencën dhe duke përfunduar me llogaridhënien”, përfundoi ajo.
8 propozimet kyçe të PD
1.”Pasaporta e Prokurimit Publik” ku do të paraqitet çdo e dhënë e kompanisë së bashku me dokumentacionin e një procedure publike, duke filluar që nga numri i referencës dhe çdo dokument zyrtar që kjo kompani aplikon tek zyrat e shtetit, por njëkohësisht kjo zotëron.
2.Krijimi i sistemit të kontratave publike njihet në të gjitha vendet e BE si sistemi më i mirë që ofron mundësinë e kontrollit dhe skrutinimit. Sot heq pengesën më të madhe që kanë gazetarët, publiku që është informacioni qe nuk është i disponueshëm në asnjë rast. Ky sistem do të ketë të gjitha koncesionet, tenderat, PPP-të, përfshirë dhe lejet dhe licencat që ka çdo kompani nga qeveria shqiptare, por njëkohësisht aksesi në financa dhe të dhëna të tjera publike që sot është e pamundur që të merren.
3.Shmangien e kompanive offshore nga çdo lloj gare, duke filluar nga investitorët strategjik, duke vazhduar me koncesionet/ partneritetin publik privat dhe gara të tjera publike. Synimet e ndryshimeve tona ligjore janë të tilla që duan ta lidhin deklarimin dhe publikimin e pronarëve përfitues si aksionarë apo ortak, duke i përjashtuar ato përfundimisht nga gara. Një gjobë nuk është e mjaftueshme.
4.Ndryshimi i tretë lidhet me forcimin e kritereve të garancisë monetare. Sikundër është vënë re në shumë kontrata publike nga inceneratorët deri tek kontratat e fundit që janë diskutuar si ajo e Portit të Durrësit, kompanitë jo vetëm që vënë kolateral pronën e fituar përmes koncesionit për të marrë një kredi, por nga ana tjetër nuk kanë asnjë të dhënë financiare. Ne kërkojmë që me këto amendime, çdo eksperiencë e tillë të mos përsëritet. Jo vetëm kaq por kemi forcuar gjithnjë e më shumë edhe vërtetimin e situacionit financiar të kompanisë që fiton koncesionin. Mundësinë që këto kompani të kenë asete reale, fizike dhe jo letra bankash që do të marrin në të ardhmen kredi duke vendosur kolateral këto kontrata koncesionare.
5.Rritja e përgjegjësisë personale; një nga elementët që ne e kemi vënë gjatë Komisionit Hetimor të Inceneratorëve ka qenë shmangia e përgjegjësisë individuale duke u fshehur pas përgjegjësisë kolektive. Në fakt, çdokush që mban një post publik duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij personale. Prandaj amendimet kanë forcuar më shumë përgjegjësinë personale, por njëkohësisht me parimin e refuzimit të individit për të kryer një vepër korruptive. Sot dhjetëra zyrtar shteti janë përpara drejtësisë dhe fshehin pas tyre personat e vërtetë politik dhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodh më.
6.Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se zotëron së paku 50% të të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm.
7.Rritja e kërkesës llogarive për sa i përket pastrimit të parave; Shqipëria prej vitit 2019 është përfshirë në listën gri të Pastrimit të Parave dhe sektori i ndërtimit është një ndër sektorët ku ka influencën më të madhe të parasë informale. Me qëllim eliminimin e të gjithë paqartësive, por njëkohësisht dhe burimet e financimit që ka sot ndërtimi, ne propozojmë ndryshimin e ligjit për kontrollin e territorit duke kërkuar dhe depozituar një raport të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që një subjekt pajiset me një leje ndërtimi ose me një certifikatë përdorimi. Po kështu kemi kërkuar që të sanksionohet detyrimin e autoriteteve publike për të refuzuar këtë në rastin kur subjekti nuk e parashikon ose nuk e paraqet këtë vërtetim.
8.Ligji i Komisioneve Hetimore është i vitit 2003, është i vjetër në kohë, ka shumë pengesa për opozitën, por nga ana tjetër ka dhe shumë elementë që e pengojnë jo vetëm krijimin e tij, por dhe punën e këtij komisioni. Prandaj ne kemi kërkuar që ligji sot të ketë disa amendamente që nga momenti i heqjes e së drejtës së Kuvendit për ta shtruar në debat parlamentar duke i dhënë formë të prerë ngritjes së tij. Duke vazhduar me pengesën që ekziston për marrjen e informacionit. Për këtë arsye që saktësisht të themi se kush janë të dhënat në të cilat një komision hetimor ka akses, duke filluar nga ato publiket duke vazhduar me ato sensitive, por njëkohësisht aksesi në të dhënat e kompanive publike dhe private. Gjithashtu mundësia për të thërritur në komision çdo dëshmitar, përfshirë edhe ata që mund të jenë nën hetim.