Komisionet e përbashkëta parlamentare të Partisë Demokratike janë mbledhur sot për të diskutuar ndryshimet në Kodin e ri të Sigurisë Rrugore, të cilat sipas tyre, po përdoren për të ndëshkuar qytetarët me gjoba dhe për të mbushur arkën e Shtetit në kundërshtim me të drejtat e tyre.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha "se paaftësia për të vënë në jetë ligjin, ka çuar në rritjen e korrupsionit dhe projektligji i ri nuk ndikon aspak në sigurinë rrugore apo në shmangien e korrupsionit".

Ndërsa, deputeti Flamur Noka si përfaqësues i Komisionit të Sigurisë dhe Rendit në Partinë Demokratike, tha "se ky projektligj është ndëshkues, pasi në mënyrën si është konceptuar ka në thelb masat ndëshkuese dhe asnjë element tjetër". Ky projektligj nuk ka risi, ka mentalitet ndëshkues, ndërkohë që duhej të shiheshin disa elementë për të përmirësuar trafikun dhe shumë elementë për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë dhe jetën e qytetarëve. Po ashtu, krahas oganeve tatimore dhe doganore ka aktivizuar dhe një organ tjetër për të zhvatur qytetarët siç është Policia e Shtetit".

Sherefedin Shehu, që përfaqëson Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në Partinë Demokratike, tha se "rritja apo dhjetëfishimi i gjobave është në linjë me tentativat e dështuara në fushën ekonomike dhe fiskale dhe mesa duket, përsëri qytetarët do të përballen me paaftësinë e qeverisë". "Qeveria ka një skenar për të instaluar shtetin policor, por nga përmasat që ka në projekt e gjykoj si filozofi të qeverisë: Sa më e madhe të jetë barra mbi qytetarët, aq më urtë rrinë ata. Në këtë mënyrë, ministri ushtron presion mbi policët dhe këta të fundit mbi qytetarët", tha Shehu.

Ndërsa, Florian Mima u shpreh se "ne duhet të dalim me një qëndrim të përbashkët nga të tre komisionet për të ndaluar këtë lloj praktike që ka zgjedhur qeveria duke ndëshkuar qytetarët me gjoba të paligjshme".

Ardian Turku, anëtar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Partinë Demokratike, solli në vëmendje se kodi penal është kthyer për të pestën herë për t'u rishikuar vetëm me inisiativën e ministrit për t'u futur në parlament dhe kjo është një mënyrë amatoreske. "Ky projektligj që propozohet nuk është gjë tjetër veçse kthimi i një shteti policor për shqiptarët. Kemi një sjellje që ka si qëllim frikësimin dhe mbushjen e arkës së shtetit, nëpërmjet gjobave dhe përsa kohë kryeministrit nuk i del llogaria, ai do të vendosë gjoba", tha Turku.

Projektligji pas diskutimeve në parim u diskutua nen për nen pa praninë e mediave. 

ATSH