TIRANE-Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi akuzon qeverinë për vjedhje me tenderin e respiratorëve. Gjithashtu ajo akuzon se një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut.

"Sot ne do të tregojmë dokumente zyrtarë që provojnë se qeveria ka vjedhur edhe me tenderin e respiratorëve. Kjo është aparatura që mban në jetë me oksigjen personat në gjendje të rënduar nga sulmi i virusit në mushkëri.

Gati një muaj pas shpërthimit të epidemisë, qeveria porositi më 3 prill, 54 copë respiratorë, një fakt që tregon sesa e papërgatitur ishte për situatën. Kushti kryesor i tenderit ishte koha e shpejtë e sjelljes së respiratorëve. Kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë.

Por kjo nuk ndodhi. Kontrata u shkel në mënyrë flagrante. Dokumentet qe ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyrim ligji në raste të tilla. Ka vetëm një arsye që mund të çojë një zyrtar të mos zbatojë ligjin dhe ky është rryshfeti, korrupsioni, vjedhja. Shifrat e kontratës e faktojnë këtë.

Një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut. Një respirator është zhdoganuar me 7.7 milionë lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milionë lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë. Janë këto çmime stratosferike dhe abuzive arsyeja pse Edi Rama i mban këta tendera sekret, duke paguar qindra milionë lekë më shumë klientët e tij në kohën më të vështirë për qytetarët.

Vetëm kompanisë TBS 96, që ka shkelur kontratën për respiratorët, qeveria e Edi Ramës i ka paguar nga paratë e shqiptarëve 11 milionë euro në 6 vjet. Me siguri Edi Rama do të heshtë edhe sot në përpjekje për t’u fshehur nga skandali që i ka plasur në dorë me kontratat e tij sekrete. Prokuroria duhet të dalë nga karantina, ku e mban qeveria. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që bëjnë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti dhe puna e qytetarëve janë në rrezik" akuzon PD-ja.