PD refuzon Prokurorinë, nis 
mbrojtjen për Doshin e Frrokun

PD refuzon Prokurorinë, nis <br />mbrojtjen për Doshin e Frrokun
TIRANE- Partia Demokratike menjëherë pasi braktisi votimin për heqjen e imunitetit për deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku ka nisur mbrojtjen ndaj tyre, duke e kthyer çështjen e tyre në kauzë e re me të cilën do të bëj opozitë. Qëndrimet e ndara për këtë çështje mes mazhorancës dhe opozitës janë reflektuar që në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të zhvilluar pardje, ku demokratët kërkuan që të administrohej si provë materiale edhe një video e re e pretenduar nga deputeti Tom Doshi.

Palët janë bashkuar në qëndrimet e tyre vetëm në votimin që kanë zhvilluar në Këshill për t’ia kaluar Kuvendit kërkesën për arrestimin e deputetëve. Ndërkohë që dhe në seancë, demokratët kanë refuzuar ta votojnë këtë kërkesë duke braktisur seancën plenare. Në qëndrimin e saj opozita ka qenë e unifikuar për këtë çështje duke i konsideruar si të pafajshëm deputetët Doshi e Frroku.

Në një postim në profilin e tij në “facebook”, ish-kryeministri Berisha sqaron se arrestimi i rrufeshëm i deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku është bërë për të shpëtuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

“Ata u arrestuan sot me urgjencë si në të shkuarën tonë me të hidhur për të shpëtuar kokën e peshkut që qelbet dhe kundërmon në mbarë Europën, të Ilir Metës që është dhe autori i vërtetë i porositjes së vrasjes se dy deputetëve dhe një shpifës dhe manipulues sa vet shpifja dhe trillimi. Arrestimi i deputetëve jo vetëm që nuk i dha përgjigjen që pret çdo shqiptar ndaj akuzave më të rënda në historinë e vendit por vetëm dëshmoi se si pushteti arrin të mbulojë skenare monstruoze vrasjesh për pushtet dhe afera të tjera kriminale. Shqipëria ecën drejt destabilizimit nga krimi i lidhur me pushtetarët më të lartë. Vetëm revolucioni demokratik qytetar do të rrëzojë murin e krimit të pushtetarëve të klikës Rama - Meta dhe shpëtojë Shqipërinë nga një rrënim i vërtetë”, ka thënë Berisha.

Të njëjtin qëndrim me të ka mbajtur në “A1 Report” edhe deputeti i PD, Kastriot Islami, i cili ka theksuar faktin se Këshilli i Mandateve duhet të kishte pranuar kërkesën e deputetit Tom Doshi për të prezantuar videon në të cilën shfaqet Durim Bami me pretendimet se është kërcënuar me jetën e fëmijëve të tij për të ndryshuar dëshminë.

Ndërkohë që për kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, prokuroria ka bërë thjesht detyrën e saj me arrestimin e dy deputetëve.

“Nuk kam asnjë koment të veçantë. Besoj janë veprimet që drejtësia kryen në këto raste. Nuk kam asnjë koment të veçantë. Besoj janë veprimet që drejtësia kryen në këto raste” u shpreh Vasili. Në një intervistë të dhënë për “A1 Report”, kreu i grupit të LSI, deklaroi se shqiptarët gjatë gjithë kësaj kohe ishin bërë pjesë e një komploti me qëllim të vetëm destabilizimin e vendit. Por siç nënvizoi ai fushata e shantazhit dhe rritjes së pasigurisë për interesa të individëve të caktuar. “Unë nuk kam pasur kurrë dyshim se shqiptarët janë shumë herë më të zgjuar se politika. Pra gjykimi i shqiptarëve është shumë inteligjentë. Ka ardhur koha për të mbajtur një qëndrim të qartë për të dekurajuar këto qëllime të zeza që pamë këto kohë”, deklaroi Vasili.

Dy ditë më parë kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho hodhi edhe një tjetër akuzë në drejtim të deputetit Tom Doshi, lidhur me një raport mjekësor që ky i fundit ka paraqitur në fillim të kësaj jave për të mos u paraqitur në mbledhje. Braho akuzoi Doshi se raporti ishte lëshuar nga një mjek, bashkëshorten e së cilit deputeti e ka të punësuar në firmën e tij private.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!