Kryedemokrati Lulzim Basha vendosi në kuvendin e 11 majit, që në PD të kishte zgjedhje në çdo grup seksioni, në bazë të parimit “një anëtar një votë”. Por duket se urdhri i Bashës nuk është zbatuar nga degët e PD-së në rrethe.

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, në një prononcim për TCH është shprehur se zgjedhjet janë shtyrë për në shtator, pasi deri atëherë demokratët do të ndryshojnë situatën politike në vend.

Sipas Palokës, çështja e Teatrit Kombëtar dhe Xhafaj, kanë pamundësuar procesin zgjedhor në PD.

Zgjedhjet janë shtyrë për në shtator. Rëndësi ka të kemi një procedurë zgjedhore brenda PD-së, të mirëqenë. Sepse në këtë periudhë duhet të pranojmë se jo të gjithë janë të impenjuar, por deri në shtator do të marrim mendime që do të ndryshojnë situatën politike në Shqipëri.

Edi Paloka, nënkryetar

Pollo ka shkuar edhe më tej. Kryetari i Komisionit të Integrimit ka thënë se shembja e Teatrit bie në kundërshtim me marrëveshjen për stabilizim Asociimin.

Ligji special ‘’Fusha’’ sh.p.k shkel dhe Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë  përkatësisht nenin  71 të saj   duke qënë një kontraktim  pa garë dhe pa konkurim të hapur, ligji special ‘’ Fusha’’ sh.p.k ka penguar aplikimin e kompanive europiane  dhe shqiptare për t’u përzgjedhur për të marre  këtë kontratë. Bashkimi Europian ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë në raste te tilla për të verifikuar çfarë ka ndodhur.

Në rast se do duan t’i shkojnë zullumit të tyre deri në fund, ky do të jetë një moment konfrontimi i shqiptarëve me të keqen.

Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian