TIRANË - Partia Demokratike ka reaguar sërish ndaj incidentit të ndodhur mbrëmë pranë qendrës së numërimit në KZAZ-në Nr 1 ku po numërohen votat për Bashkinë e Malësisë së Madhe.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, deputeti Sterkaj dhe njerëz pranë tij kanë ushtruar dhunë dhe presion ndaj numëruesve e vëzhguesve. Po sipas Palokës deputeti Sterkaj ka nxjerrë edhe një armë tip pistolete duke goditur me qytën e saj kreun e degës së PD në malësinë e Madhe, Pjerin Spatharin.

Deklarata e plotë e kreut të grupit Parlamentar, Edi Paloka
Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të përfaqësuesve të qeverisë në KZAZ-në numër 1 në Malësi të Madhe, ku deputeti Sterkaj dhe banda e tij kanë ushtruar dhunë dhe presion ndaj numëruesve e vëzhguesve, dhe ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në përpjekje për të ndikuar rezultatin atje.
 
Kulmi ka arritur mbrëmë vonë kur deputeti Sterkaj ka nxjerrë armën dhe siç e akuzojnë kandidati i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike atje, ka goditur me qytën e saj, pikërisht kreun e degës Pjerin Spathari, i ndihmuar nga banditët e tij.
 
Një akt e një ngjarje e rëndë që ka minuar zgjedhjet në këtë zonë, nisur nga fakti se banda e qeverisë dhe e deputetit Sterkaj gëzon imunitet dhe bën ç’të dojë, me bekimin e Policisë.
 
Në fakt, më e rënda është se vetë policia, në vend se të ndalojë shkaktarët e kësaj dhune, është rreshtuar në anën e banditëve e personave që shkelin ligjin.
Prokuroria duhet urgjentisht në nisë hetimet e të vej para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeve.
 
Ne e kemi dokumentuar ngjarjen dhe do ta paraqesim para vëzhguesve ndërkombëtarë.
Partia Demokratike do të ruajë çdo votë të qytetarëve, ne jemi të vendosur për këtë, ashtu siç paralajmërojmë këdo që tenton të prekë vullnetin e qytetarëve, që do të përgjigjet para ligjit deri në fund.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)