Nga Kryesia e Kuvendit, në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të PS deklaroi se nuk ka asnjë koment shtesë mbi kërkesën e PD, pasi janë institucionet përkatëse që bëjnë verifikimin e çdo deputeti.
“Ligji është shumë i qartë dhe s’ka nevojë për mbështetje dhe institucionet duhet të bëjnë detyrën e tyre. Nuk kam asnjë koment shtesë për aq kohë sa institucionet e ngarkuara me ligj po merren me çështjen. Unë jam bashkëhartues i ligjit të dekriminalizimit, ligji ka hequr ndikimin tonë, janë institucionet përkatëse që merren me këtë. Procesi i verifikimit ka dy faza, para dhe pas zgjedhjes së deputetëve, ligji do respektohet për këdo qoftë ai”, tha Balla në reagimin e tij të parë.
Ndërkohë, PD iu drejtua pak më parë KQZ me një kërkesë për dy deputetët Gjetan Gjetani i PS dhe Aqif Rakipi i PDIU, duke kërkuar heqjen e mandatit të deputetit për secilin, me pretendimin se kanë rekorde kriminale në Itali.
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com