TIRANE - Vendim tronditës dhe të papritur e ka quajtuar Eduard Halimi vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm Arben Frrokun.

Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, Halimi tha se për marrjen e këtij vendimi janë kërcënuar me telefon gjykatësit që shqyrtuan çështjen

Jemi këtu sot për të shprehur ndijimin e thellë për vendimin e gjykatës që ka lënë dyshime si i diktuar politikisht. Vendimi i pafajësisë është sot një vendim që ngjall dyshime të forta se është i diktuar politikisht pasi për të marrë këtë vendim janë kërcënuar përmes telefonit gjykatësit e çështjes,” – tha Eduard Halimi.

Po ashtu në fund të fjalës së tij deputeti demokrat tha se ka ende shpresa për një gjykim të drejtë në rast se do të apelohet vendimi.

Më poshtë deklarata e plotë e Eduard Halimit

Partia Demokratike mësoi si gjithë qytetarët e vendit vendimin e gjykatës për të shpallur të pafajshëm vëllain e deputetit Frroku, i akuzuar nga prokuroria për vrasjen e komisarit të policisë Lamaj, për të cilën, organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm.
Jemi sot këtu për të shprehur në emër të Partisë Demokratike, shqetësimin e thellë për këtë vendim, që ka shkaktuar tronditje të mbarë opinionit publik, dhe ka lënë dyshime të forta si vendim i influencuar politikisht.
Vendime të tilla, pasi shumë prova e fakte janë bërë publike dhe qëndrojnë fort në favor të akuzës, merren në një kohë kur ka dyshime të forta se dyshja Rama-Meta ka pakte për të mbyllur me vëllain e të akuzuarit, dhe kur ata kanë çuar në një shkallë të paimagjinueshme ndërhyrjet në drejtësi, me telefonata e kërcënime për gjykatësit, fakte të bëra publike kohë më parë dhe të pakundërshtuara deri më sot.
Vendimi i pafajësisë për vëllain e deputetit është sot në sytë e të gjithë shqiptarëve, një vendim që ngjall dyshimet më të forta se është diktuar nga qeveria, për të mbyllurpazarin për cështjen Meta. A u ble heshtja e Mark Frrokut, me lirimin e Arben Frrokut, i cili me gjasë do të ulet në krah të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë?
Partia Demokratike i respekton institucionet dhe vendimet e gjykatave. Nuk komenton vendimet e tyre.
Por ajo çfarë ka ndodhur sot është një alarm për drejtësinë e demokracinë në vend. Eshtë një alarm për sigurinë, derisa paktet kriminale arrijnë të mbyllin një vrasje të një komisari policie.
Ne inkurajojmë dhe shpresojmë që ky vendim do të apelohet dhe drejtësia do të bëhet.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)