TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e quan kërcënim dhe tentativë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke. Dy ditë më parë Gregori Delavekuras deklaroi se emërimi i dy përfaqësuesve të PDIU si zëvendësministra në kabinetin Berisha, minon marrëdhëniet dypalëshe.

Për Partinë që ka ne thelb të saj çeshtjen çame deklarata është shantazh i qarqeve nacionaliste greke ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë. Ajo i bën thirrje shtetit grek të distancohet nga këto qëndrime pasi integrimi “nuk kalon nga Athina”.

“Nje sjellje e tillë e shantazhimit të Shqipërisë, me procesin e integrimit, vetëm e vetëm për të përmbushur oreksin e pangopur nacionalist të qarqeve të caktuara në Greqi, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian dhe me vlerat e larta që Brukseli do të përhapë në Ballkan.”- nënvizohet në deklaratën për shtyp të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

PDIU –a kujton se ministri i jashtëm grek, ka reaguar në mënyrë jo korrekte në shumë raste, dhe nënvizon se janë pikërisht qëndrimet e kësaj partie ndaj dhunimit të varreve të Boboshticës, denoncimit të censusit që me siguri nuk i kanë pëlqyer Greqisë.

“Ne jemi të bindur se: kërkesat legjitime të komunitetit çam, janë të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga parimet evropiane më të çmuara, sikurse është, e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe riatdhesimit të Shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre.”- nënvizon kreu i PDIU-së.

Zoti Idrizi i kujton Greqisë të mos harrojë vitin 1913, i kërkon të kërkojë ndjesë për plagën e Çamërisë.

“Greqia nuk duhet të bjerë pre e rudimenteve shoviniste greke, te cilat ende nuk kane kurajo që të pranojnë të vërtetën dhe të tregojnë pendesë për krimet e kryera kundër pakicës shqiptare prej Napoleon Zervës me shokë.” – nënvizon më tej Idrizi duke shtuar se “Përfshirja në koalicionin qeverisës nuk do të bëj gjë tjetër perveçse do siguroj një zë edhe më të fortë mbështetës, për standardet më të larta të të drejtave të pakicave në Shqipëri por edhe në mbarë rajonin. “
(sg/shqiptarja.com)