TIRANE – PDIU ka shprehur sot indinjatën ndaj autoriteteve shtetërore maqedonase “që nuk parandalojnë ose ndëshkojnë” aktet e dhunës si rrahja e 15 nxënësve shqiptarë në Shkup pak ditë më parë. “Situata ndëretnike në Maqedoni duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë përpara se të krijohen rrethana të cilat do të dëmtonin rëndë bashkëjetesën e shqiptarëve me maqedonasit”, lexohet në një deklaratë të PDIU, e cila gjykon se “diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve në nivel shtetëror i ka lënë vendin ditët e fundit përplasjes fizike me motiv etnik ndërmjet të rinjve në Maqedoni, ku shqiptarët janë dhunuar barbarisht vetëm dhe vetëm pse i përkasin kombësisë shqiptare”.

PDIU vuri në dukje se “kjo ngjarje është e përsëritur dhe paraprihet nga raste të tjera të ngjashme is rrahja në ndër-etnike në fillim në 3 mars në fshatin Vollkovë dhe Butel të Shkupit; rrahje ndaj nxënësve shqiptarë në fshatin Stajkovc në 23 shkurt apo vrasja e nxënës 18 vjeçar Jashar Muhamed Ali i cili ndërroi jetë vjet në 8 prill pasi ishte rrahur brutalisht në shkollën e tij”.

Ajo ndjek e shqetësuar dhe “e indinjuar zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe paralajmëron të gjithë faktorët shtetërorë, ndërkombëtarë por mbi të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni mbi rrezikun që po kanoset me rishfaqjen e dhunës etnike në vendin fqinj”. PDIU akuzoi shtetin maqedonas se nuk po bën aq sa duhet për të krijuar “një frymë bashkëekzistence dhe nëpërmjet diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve rrit mundësitë e ndodhive fatkeqe siç ishin dhuna brutale ndaj 15 të rinjve shqiptarë”.

”Indiferenca dhe apatia e institucioneve qeveritare maqedonase ndaj këtyre rasteve barbare të dhunës anti-shqiptare që dëshmohet nga mos-ndëshkimi i asnjë personi përgjegjës për to deri më tani, ka inkurajuar shtimin dhe përshkallëzimin e këtyre rasteve duke kërcënuar seriozisht sigurinë e banorëve shqiptarë në Maqedoni”, thuhet në deklaratën e PDIU.

“Sirenat e alarmit duhet të dëgjohen në kohë, përpara se ndodhitë negative të ndodhin. Ky është një moment i tillë”, përfundon deklarata.