TIRANE - Klubi i Patriotëve të Rinj (KPR) dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) i bëjnë apel Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që të reagojë ndaj veprimeve të pahijshme dhe pa asnjë shkak që kryhen ndaj bashkëkombësve tanë, nga Greqia.

Ardit Bido, Kryetar i Patriotëve të Rinj, ka denoncuar këtë akt të rëndë duke deklaruar se veprimet ndaj shqiptarëve nga ana e autoriteteve greke tregojnë edhe një herë sjelljet joevropiane. “Kjo është një maskaradë e rëndë ndaj shqiptarëve të thjeshtë që dëshirojnë të promovojnë atdheun e tyre”-tha Bido.

Reagimi vjen dy ditë pas incidentit që ndodhi në kufirin shqiptaro-grek të Kakavijës. Shtetasja Elida Jorgoni, koordinatore e grupimit të Pasardhësve të Rilindësve, nuk u lejua të kalonte kufirin dhe u shpall person “non grata”.
Ajo donte të shkonte në Janinë për të vizituar disa nga të afërmit e saj dhe varrezat e paraardhësve të saj që gjendeshin akoma aty.

Autoritetet greke i kanë deklaruar verbalisht znj. Jorgoni se arsyeja e shpalljes së saj si persona “non grata” ka qenë pikërisht pjesëmarrja e saj në aktivitetin e fundit “Rrugëtim në hapat e rilindësve”, që nuk kishte aspak të bënte me Greqinë.

Redaksia Online
(g.a/Gre.M/Shqiptarja.com)