TIRANE - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka njoftuar se ditën e nesërme në orën 11:00 do të zhvillojë në një protestë në hyrjen e pasme të ambasadës greke, në kuadër të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Genocidit. Në protestë marrin pjesë Klubi i Patriotëve të rinj dhe shoqata “Çamëria”.

Ndërkohë që përmes një njoftimi të mëparshëm për mediat, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me deklaratat e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke. PDIU shprehet se çështja çame ka hyrë në axhendën e bisedime mes dy shteteve, duke theksuar se Greqia konfirmoi se ka frikë të pranojë që është përgjegjëse e gjenocideve më të përgjakshme në Çamëri dhe duhet të kërkojë falje publike për masakrën që ka shkaktuar.

“PDIU përshëndet mediat greke, të cilat edhe pse ndoshta në mënyrë tendencioze, vunë në pah diçka që tashmë është fakt. Kjo gjë konfirmon dy qëndrimet e qarta të PDIU-së. E para, që çështja çame tashmë ka hyrë në axhendat e bisedimeve mes dy shteteve dhe do të jetë gjithnjë në tavolinën e bisedimeve. Dhe e dyta, konfirmon edhe një herë frikën e Greqisë për të pranuar se është përgjegjëse për një prej genocideve më të përgjakshme në histori.

PDIU i kujton zoti Delavekouras se çështja çame nuk është vetëm një çështje ligjore që i takon të gjejë zgjidhje në gjykatë, por në radhë të parë është çështje politike, që i takon të zgjidhet mes dy shteteve. Dhe së dyti është një çështje njerëzore, ku Greqia së pari duhet të kërkojë një falje publike për masakrën e kryer nga ushtritë zerviste dhe të lejojë qindra mijëra pjesëtarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e të parëve të tyre.

PDIU shprehet e bindur në nismën e saj për të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë Rezolutën për çështjen çame, e cila do t'i hapi rrugë nismave të mëtejshme zyrtare të qeverisë shqiptare për të kërkuar zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.

(eç/shqiptarja.com)