PDIU, Mamo: Çështja çame 
zgjidhje anëtarësimi në BE

PDIU, Mamo: Çështja çame <br />zgjidhje anëtarësimi në BE
PDIU falënderon zyrtarët e lartë shqiptarë për qëndrimet e fundit për çështjen greke, por shprehet e pa kënaqur për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Në fjalën e tij në seancën plenare, deputeti i PDIU-së, Omer Mamo tha se kjo çështje zgjidhet me anëtarësimin në BE. Ai shtoi se Greqia kërcënon integrimin e Shqipërisë, ndaj tha se votimi i reformës në drejtësi, shmang mundësinë e Greqisë për të vendosur shkopinj nën rrota në procesin integrues.

Z. Mamo, pas vizitës së fundit në Tiranë të ministrit të jashtëm grek, a ndihet PDIU e kënaqur me avancimin e çështjes çame?
Ditët e fundit jam ndier shumë optimist për faktin se autoritet shtetërore shqiptare në takimet me fqinjët tanë jugorë nuk e kanë më ndrojtjen për të përmendur emrin “Çamëri”. Më pëlqeu fakti që protesta e organizuar nga shoqata “Çamëria” nuk u prit me shkopinj gome nga policia si disa vite më përpara para selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Nëse doni të dini se sa të kënaqur janë çamët me statusin e tyre aktual dhe ecurinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje të madhe kombëtare, unë do të thoja se ne jemi shumë mbrapa. Për këtë vonesë kaq të madhe shkak madhor i kushteve historike, por edhe qëndrimi jo shumë konsekuent i drejtueshme shqiptarë ndër vite. Është e papranueshme që fjala  “Çamëri” të përdoret vetëm për qëllime të brendshme politike, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Ne  e kemi kaluar fazën kur fjala “Çamëri” ishte herezi dhe shkak për kriza në marrëdhënien dy paleshe.

Po sa i takon kategorizimit të çamëve që ju bëri ministri Kotzias?
Shqipëria ka vërtet shumë nevojë për fqinjësinë e saj jugore, Greqinë, por të jeni të bindur se edhe Greqia e ka shumë të nevojshëm bashkëpunimin me fqinjin e saj verior, Shqipërinë. Në marrëdhëniet tona duhet të ketë reciprocitet dhe respektim të standardeve ndërkombëtare. Ne nuk duhet të heshtim kur diplomatët grekë na tregojnë se ka vendime gjykatash kundër një pjesë të popullit shqiptar që jetonte në Çamëri. Ata na thonë se prindërit dhe gjyshërit tanë janë bashkëpunëtorë me nazizmin. Ata pleq dhe gra me fëmijë në gji nuk mund të na akuzojnë se bashkëpunuam me nazizmin. Vetë historianët grekë kanë treguar fakte se ndaj shqiptarëve në Çamëri u ushtrua gjenocid dhe ne duhet t’i mbajmë mbi tavolinë dëshmitë e atyre historianëve të guximshëm grekë që nuk ngurrojnë të shikojnë në sy të vërtetën e madhe.  Ka studime të pafundme se si nazistët dhe grekët ushtruan gjenocid ndaj dy popullsive jo greke: hebrenjve dhe çamëve.

Ju nuk jeni i kënaqur për qëndrimin e qeverisë shqiptare gjatë takimit të fundit?
I përmend të gjitha këto jo se kam pakënaqësi ndaj punës së z. Bushati, përkundrazi, e përgëzoj për guximin dhe konsekuencën e tij në qëndrimin që keni mbajtur përballë palës greke. Përgëzoj dhe falënderoj dhe kryeministrin Rama për qëndrimin e tij. I përmenda të gjithë këto fakte, që brenda jetëve tona e të prindërve tanë, të mundemi të plotësojmë ëndrrën tonë të madhe: kthimin në shtëpitë tona në Çamëri.

Ju jeni tashmë prej vitesh parti parlamentare. A mendoni se ka një zgjidhje finale për kauzën tuaj?
Çështja çame nuk mund të zgjidhet nëse ne vazhdojmë të vërtitemi në një vorbull sherresh politike që dëmton vendin. Nëse ne sot e votojmë reformën në drejtësi, dhe nisim zbatimin e saj, ne do të marrim ftesë për anëtarësimin në BE. Unë besoj fort se nëse ne bëhemi patriotë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, do të realizimin e integrimit. Vetëm si anëtarë me të drejta të plota ne do të mund të zgjedhimin këtë çështje kombëtare. Faktet kanë treguar se çështjet tona kombëtare janë avancuar sa herë kemi qenë përkrah aleatëve tanë, apo në aleanca strategjike perëndimore. Kujtoj këtu, Kosovën. Avancim që po e ndjejnë thellë serbët, dhe grekët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se nuk mund të kontrollojnë. Dëgjova që ministri Kotzias, me një gjuhë babaxhane, na bëri një kërcënim. Unë kështu e lexoj deklaratën e tij para studentëve në sallën “Iliria”. Ai tha se nuk duhet të harrojmë se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur me fqinjësinë e mirë me aleatin jugor. Nuk duhet të nënvlerësohen instrumentet që disponon Greqia në kancelaritë evropiane, si shkopinj nën rrota. Kjo deklaratë e Kotziasit është një kërcënim, por dhe një frikë e fqinjit tonë ndaj një Shqipërie shumë shpejt në BE, aleate e Gjermanisë dhe SHBA-ve. Ne duhet ta votojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, që të mos lejojmë askënd të përdorë instrumentet e tyre për të na penguar. Unë jam i bindur se Greqia do nga ne vetëm krahun e lirë të punës, dhe nuk është dakord për të na parë të barabartë mes të barabartëve. Ne nuk duhet të humbasim më shansin dhe mundësinë për të qenë pjesë e familjes evropiane.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si nëpër filma, trafikantët përplasin makinën e policisë në Itali dhe plagosin 2 prej tyre! Arrestohen me rreth 14 kg drogë shqiptari dhe dy miqtë e tij

Si nëpër filma, trafikantët përplasin makinën e policisë në Itali dhe plagosin 2 prej tyre! Arrestohen me rreth 14 kg drogë shqiptari dhe dy miqtë e tij