PDIU vlerëson qëndrimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare në kundërshtimin e akordimit të pjesëve të territorit ujor shqiptar për kërkime nga ana e shtetit grek.

Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se marrëveshja e detit nuk ka asnjë vlerë legale dhe e cilëson notën e protestës së ministrisë së jashtme si një reagim publik ndaj arrogancës greke.

“Koha kur Greqia bënte të fortin në rajon ka mbaruar", deklaron PDIU
 
 
Deklarata e plotë e PDIU

PDIU vlerëson notën e protestës të ministrisë sonë të jashtme për kundërshtimin e akordimit të pjesëve të territorit ujor shqiptar për kërkime nafte nga ana e shtetit grek. Ky qëndrim është dëshmi e shkallëzimit publik të reagimit tonë shtetëror ndaj arrogancës greke. Shteti grek po synon të luajë me kartën e faktit të kryer për një pjesë të shelfit tonë kontinental, ku prej kohësh janë kryer kërkime për llogari të shtetit shqiptar. Marrëveshja e detit nuk ka asnjë vlerë legale ndërkombëtare dhe shteti grek nuk mund të përcaktojë vetë si të dojë kufijtë ndërkombëtarë.

PDIU koherente me qëndrimet e veta të mëparshme kishte vlerësuar këtë reagim zyrtar që tani po merr dhe formë publike. Por ne sugjerojmë si dhe më parë që të investohen për këtë qëllim dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë në rolin e arbitrit. Ndërkohë shteti shqiptar duhet të paralajmrojë kompanitë që po kryejnë kërkime të mos hedhin asnjë hap në rrethana të tilla.

Koha kur Greqia bënte të fortin në rajon ka mbaruar.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)