Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përmes një deklarate për mediat dënon në mënyrën më të ashpër dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve sot në Shkup dhe për më tepër trajtimin e bashkëkombësve tanë në Maqedoni si terroristë.

Për PDIU, aktet e sotme tregojnë se qeveria maqedonase nuk i sheh shqiptarët si pjesë integrale të shtetit maqedonas.
PDIU apelon që shteti shqiptar duhet të ndërhyjë sa më shpejtë për të treguar se shqiptarët kanë mbrojtje dhe nuk janë në mëshirë të fatit të tyre në trojet e tyre etnike autoktone.

“Shteti maqedonas duhet të marri përgjigjen e merituar për këtë trajtim çnjerëzor të shqiptarëve sot në Shkup, në kryeqendrën e shqiptarëve të Maqedonisë dhe më gjerë, në qytetin që u çlirua një shekull më parë nga banorët e vetë autoktonë: shqiptarët!”- thuhet në deklaratën e PDIU  
 
Më tej PDIU shton se aktet e fundit nuk do ta dëmtojnë këtë të vërtetë të patjetërsueshme, pasi bashkëkombësit tanë do të dalin ngadhënjimtar nëse Maqedonia dëshiron t`i futet spirales së padëshiruar të dhunës ndëretnike.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)