Albin Kurti u zgjodh të dielën për herë të katërt kryeministër i Kosovës, por vetëm një ditë më pas opozita e ka çuar përplasjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar procesin që çoi në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Këtë të hënë PDK dorëzoi kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës. Sipas kësaj force politike, konstituimi i Kuvendit nuk është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe, për këtë arsye, nuk qëndron as votimi i Qeverisë së re.

Cilat janë hallkat e procesit që kundërshton PDK
Sipas kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, PDK kundërshton tri hallka të procesit që çoi në konstituimin e Kuvendit dhe më pas në formimin e Qeverisë së re. Ankesa përfshin zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, mënyrën e votimit të nënkryetarëve dhe vendimin me të cilin Kuvendi u shpall i konstituuar më 13 shtator.
PDK argumenton se është shkelur afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili, sipas llogaritjes së saj, përfundonte më 7 gusht. Partia pretendon gjithashtu se seancat nuk u thirrën sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit dhe se procedurat që pasuan nuk mund të prodhojnë pasoja juridike.
Një tjetër pikë e ankesës lidhet me nënkryetarin që i takon PDK-së. Sipas partisë, ajo nuk ka hequr dorë nga e drejta për ta propozuar kandidatin e saj, pasi Vlora Çitaku ishte propozuar më 9 shtator dhe pezullimi i mëvonshëm i kandidaturës ishte vetëm i përkohshëm. Për këtë arsye, PDK kundërshton konstatimin se Kuvendi mund të konsiderohej i konstituuar.
Përveç shqyrtimit të këtyre pretendimeve, PDK i ka kërkuar Gjykatës edhe vendosjen e një mase të përkohshme, duke argumentuar se në të kundërt mund të krijohen pasoja kushtetuese të pakthyeshme, përfshirë nisjen e afatit për zgjedhjen e presidentit dhe zhvillimin e procedurave të tjera institucionale.
Deputeti Arian Tahiri tha se pezullimi i përkohshëm është i nevojshëm për të shmangur pasoja juridike dhe institucionale.
“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve. Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, tha Tahiri.
Edhe deputeti Përparim Gruda akuzoi mazhorancën për shkelje të Kushtetutës, duke paralajmëruar se PDK do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese edhe mënyrën e formimit të Qeverisë.
“Ne deri tani kemi hezituar t’i drejtohemi Kushtetueses, por meqë situata ka dalë jashtë kontrollit, pushteti është plotësisht jashtë Kushtetutës, neve nuk na ka mbetur rrugë tjetër përveç se t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Ndërsa opozita ka nisur betejën ligjore, Albin Kurti u përqendrua te sfida e radhës për shumicën parlamentare, zgjedhja e presidentit të ri.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend e në Kuvend, Andaj ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t'i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat është dëshmi vetë konstituimi i Kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK dhe LDK përkundër vërejtjeve që kishim dhe sot jemi me qeveri të re përveçse Kuvend të konstituuar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë jam i bindur që do t'i sjellë vendit presidentin e ri”, tha Kurti ai gjatë mbledhjes së parë të kabinetit të ri.
Kurti pranoi se problemi kryesor mbetet qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, edhe pse drejtuesit e Vetëvendosjes dhe LDK-së kishin arritur një marrëveshje për ta mbështetur atë.
PDK dhe Aleanca kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Sejdiun.
Si u konstituua Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës
Zhvillimet e sotme vijnë një ditë pasi Kosova u bë me qeveri të re. Të dielën, Kuvendi u shpall i konstituuar pasi shumica vijoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga LDK-ja dhe komunitetet pakicë, megjithëse PDK bojkotoi seancën dhe nuk u zgjodh nënkryetari që i takon kësaj force politike.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, duke argumentuar se procedurat duhej të vazhdonin. Në seancë, Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar nga radhët e LDK-së me 75 vota, ndërsa më pas u zgjodhën edhe Tanja Vujoviç nga komuniteti serb dhe Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak.
Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar, duke iu referuar edhe një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, në rrethana të caktuara, Kuvendi mund të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe organi ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
PDK nuk e pranoi këtë interpretim. Sipas saj, partia nuk kishte hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por ishte tërhequr përkohësisht nga procesi në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, opozita këmbëngul se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.
Pas përfundimit të këtij procesi, qeveria u mbështet nga 53 deputetët e Vetëvendosjes, tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe Nenad Rashiç nga komuniteti serb. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, ndërsa tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër.
Kabineti qeveritar mbetet i njëjtë me atë të mandatit të kaluar. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se nuk do të paraqiste një program të ri, pasi zgjedhjet e përsëritura kishin ndërprerë qeverisjen, ndërsa theksoi se mandati i ri do të përqendrohet te siguria dhe mirëqenia e qytetarëve.
Çfarë pritet tani
Përveç shqyrtimit të kërkesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese, institucioneve të reja u duhet të përballen edhe me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Në fund të gushtit, Vetëvendosje dhe LDK ranë dakord të mbështesnin Bekim Sejdiun për president, por 6 deputetë të LDK-së njoftuan se nuk do ta respektojnë këtë marrëveshje. Mungesa e konsensusit e shtyu atë të tërhiqet nga kandidatura.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. Nëse kreu i ri i shtetit nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare.

Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për President të Kosovës, duke argumentuar se nuk ekziston mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij. Në një reagim publik, ai tha se kishte pranuar propozimin e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me synimin për të ndihmuar në zhbllokimin e ngërçit institucional, ndërsa shprehu shpresën që partitë politike të gjejnë një rrugëdalje nga kriza.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!
Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.
E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi.
Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash. I kam qëndruar gjithmonë idesë se intelektualët dhe profesionistët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe se kapacitetet intelektuale dhe aftësitë e tyre profesionale nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Siç e kam thënë edhe në paraqitjen time publike, nuk kam pasur asnjë ambicie për pozita publike përtej atyre akademike dhe profesionale dhe motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional.
Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida.
Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës.
Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional. Atë përcaktim, sidomos në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk e kam pasur selektiv apo konjuktural, por parimor dhe profesional.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre.
Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kundërshton mënyrën se si u konstituua Kuvendi dhe kërkon vendosjen e një mase të përkohshme deri në shqyrtimin e çështjes.
“Konfirmojmë dorëzimin e kërkesës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përkitazi me konstituimin e Kuvendit”, tha Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për RTV21.
Më herët gjatë ditës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se partia pret që Gjykata të vendosë masë të përkohshme për të shmangur pasoja juridike dhe institucionale.
PDK kundërshton procesin që çoi në shpalljen e Kuvendit të konstituuar, duke argumentuar se janë shkelur afatet kushtetuese dhe procedurat parlamentare. Sipas saj, për pasojë vihet në diskutim edhe ligjshmëria e votimit të Qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit të ri, duke paralajmëruar se dështimi i këtij procesi do ta çonte vendin në zgjedhje të tjera, të cilat, sipas tij, nuk do të sillnin asnjë rezultat të ri politik.
"Sot kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur. Ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi negociatash jo të lehta të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend e në Kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t'i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat është dëshmi vetë konstituimi i Kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK dhe LDK përkundër vërejtjeve që kishim dhe sot jemi me qeveri të re përveçse Kuvend të konstituuar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë jam i bindur që do t'i sjellë vendit presidentin e ri”, tha Kurti në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar.









Komente
Komento