
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, doli të hënën në konferencë për shtyp duke mos fshehur zhgënjimin nga rezultatet e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, por edhe premtuar se nuk do t’u ikë përgjegjësive.
“PDK ka pritur rezultat më të mirë. Edhe unë personalisht kam pritur rezultat më të mirë. I nevojitet tjetër rezultat PDK-së, por ne kemi arritur të ruajmë votën dhe elektoratin tonë. Pozita i ka përgjegjësitë e veta, unë nuk jam nga ata që ikin pas përgjegjësive. Këto ditë do t’i kemi takimet me strukturat e partisë, vendimet i marrë në kohë, të analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimarrje”, tha Hamza në konferencë.
Kreu i PDK-së njoftoi se partia do të nisë së shpejti konsultime me strukturat e saj për të analizuar rezultatin dhe për të marrë vendime për hapat e ardhshëm politikë.
Hamza vuri theksin te nevoja për stabilitet institucional, duke paralajmëruar kundër krijimit të vakumit politik dhe duke rikujtuar bllokadat institucionale që Kosova ka përjetuar në të shkuarën. Ai konfirmoi se PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive dhe do të mbështesë proceset shtetërore që janë në interes të vendit.
“Ne do të jemi opozitë dhe do ta japim kontributin tonë. Marrëveshjet ndërkombëtare do t’i votojmë, sepse edhe në të kaluarën i kemi votuar,” deklaroi Hamza. Ai tha se PDK së shpejti do të reformohet përmes zgjedhjeve të brendshme, një proces që ka munguar që nga viti 2019.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Kosovë, Kurti fiton me 49.3%, drejt formimit të qeverisë i vetëm! PDK forcë e dytë me 21%, LDK 13.59%












