Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i saj rikonfirmojnë gatishmërinë e plotë për themelimin e shpejtë të institucioneve shtetërore, në pajtueshmëri me rezultatin zgjedhor, legjitimitetin qytetar dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët në shtatë pika, të sapodërguar,   Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i saj edhe një herë shprehin gatishmërinë për bashkëpunim dhe qasje konstruktive në themelimin sa më të shpejtë të institucioneve shtetërore.  Partia Demokratike e Kosovës siguron anëtarët dhe simpatizantët e vet, si dhe opinionin e gjerë publik, se në asnjë mënyrë nuk do të heq dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur me vendin, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.  Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme qasja e atyre që po tentojnë me çdo mjet dhe në mënyre kundër-kushtetuese, jo-institucionale dhe jo-demokratike të mbajnë peng shtetin, duke bllokuar themelimin e institucioneve demokratike.

Deklarata thekson se, "paralajmërimi i vazhdueshëm nga liderët humbës të zgjedhjeve se nuk do të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të vazhdojnë me procedura kundër-kushtetuese në Seancën Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës paraqet një shantazh publik dhe shpreh përsëri logjikën kundër-kushtetuese të bllokuesve të themelimit të institucioneve shtetërore".

Partia Demokratike e Kosovës siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se "nuk do të tolerojë tendencat për të abuzuar me shtetin, për të cenuar rendin kushtetues dhe për të shkelur rendin demokratik të vendit tonë, për shkak të ambicieve personale të individëve humbës, të cilët nuk zgjedhin mjete për të marrë pushtetin". /ATSH/