TIRANE-Ish deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka akuzuar qeverinë se ka përdorur paratë e drogës për të blerë zgjedhjet, duke i risjellë në vëmendje dosjen 184 dhe 339.

Sipas tij, Raporti  i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave fakton se Edi Rama jo vetëm ka ndërtuar narkoshtetin që në ditët e para të qeverisjes së tij, por e ka përdorur krimin e organizuar për t’ia kundërvënë opozitës.

Për shkëputjen e politikës nga organizatat kriminale, sipas Alibeajt, duhet të largohet Rama nga pushteti.

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh se Shqipëria po tenton të përparojë drejt integrimit europian, por raportet e nxjerrin politikën shqiptare të lidhur ngushtë me krimin, e mbrojtësi i kësaj lidhje, sipas tij, është Parlamenti. 

Sipas tij, nuk janë listat e hapura ato që zgjidhin problemet e politikës në vend, por pushteti është i kapur nga banat dhe qeveria është në shërbim të krimit.