Parlamenti Europian ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes duke i dhënë dritën jeshile daljes së Britanisë së Madhe nga unioni i Bashkimit Europian. Marrëveshja u miratua me 621 vota pro dhe 49 kundër. Pas votimit, eurodeputetët shënuan daljen e Mbretërisë së Bashkuar me këngën skoceze të lamtumirës "Auld Lang Syne".
Mbretëria e Bashkuar të premten largohet zyrtarisht nga blloku. "Ju po largoheni nga BE, por gjithmonë do të jeni pjesë e Evropës" tha kreu i Parlamentit Europian David Sassoli. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ratifikimi i marrëveshjes së tërheqjes ishte "vetëm një hap i parë" drejt një partneriteti të ri midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të ketë një periudhë 11-mujore të tranzicionit, në të cilën të dy palët shpresojnë të negociojnë marrëdhëniet e tyre të ardhshme ekonomike. Bisedimet tregtare pritet të fillojnë në fillim të marsit.