TIRANE - Qeveria mori sot vendimin për t’i rikthyer industrisë fasone tatimin fitimin prej 5 % në formën e një fondi. Fondi i krijuar përmes këtij vendimi dhe që do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është vlerësuar nga Ministria e Financave në masën 250 milionë lekë. Ky është viti i parë që aplikohet kjo skemë, por ajo do të përsëritet çdo vit.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, zëvendskryeministri Niko Peleshi tha se në këtë mënyrë stimulohet zhvillimi ekonomik dhe rritja e punësimit

“Fondi i krijuar përmes këtij vendimi dhe që do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është vlerësuar nga Ministria e Financave në masën 250 milionë lekë. Ky është viti i parë që aplikohet kjo skemë, por ajo do të përsëritet çdo vit. Fondi i krijuar nga tatim fitimi i industrisë fasone do të planifikohet në programin e shpenzimeve buxhetore të MMSR ndërkohë që shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave. Risia tjetër e kësaj skeme është se ajo do të shërbejë si boshti i një iniciative më të gjerë, pasi synimi është që atij t’i shtohen të gjitha linjat e financimit nga donatorë të brendshëm e të jashtëm që operojnë në fushën e nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Programet e mbështetura prej tij përfshijnë programe për nxitjen e punesimit dhe programe të formimit profesional. Ky vendim është një shprehje e qartë e angazhimit tonë për të mbështetur me të gjitha mënyrat ato aktivitete ekonomike dhe investime që prodhojnë punësim. Gjatë vitit tonë të parë në qeverisje paketa fason ka rezultuar një instrument tejet i suksesshëm duke rritur ndjeshëm jo vetëm punësimin, por edhe eksportet. Jemi të bindur se mbështetja e mëtejshme e kësaj industrie do të japë në vijim rezultate po aq pozitive për gjithë ekonominë”, tha Peleshi.

Vendimi i KM për Krijimin e fondit Në Mbështetje të INDUSTRISË FASONE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V e n d o s i:
1.     Krijimin e fondit buxhetor (Fondi) në mbështetje të industrisë fasone, si zë i veçantë brenda strukturës programore të ministrisë përgjegjëse për punësimin, nga buxheti i shtetit. Fondi fillon në vitin 2015 dhe do të përdoret për mbështetjen e industrisë fasone. Çdo vit Ministria e Financave përcakton shumën, që derdhet në këtë fond.
2.     Fondi në mbështetje të industrisë fasone, përveç buxhetit të shtetit mund të ketë si burim financimi edhe donatorë apo institucione financiare.
3.     Fondi mbështet punëdhënësit e industrisë fasone për nxitjen e punësimit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore për këtë industri, si dhe forma të tjera mbështetjeje, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
4.     Të gjithë punëdhënësit e industrisë fasone, të cilët kërkojnë të mbështeten nga ky fond, duhet të regjistrohen në zyrat e punësimit.
Programet që do të mbështeten nga ky fond janë:
programet ekzistuese të nxitjes së punësimit, të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
programet e formimit profesional për profesione të ndryshme të industrisë fasone, të përcaktuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
programet dhe format e tjera të mbështetjes për nxitjen e punësimit në profesione të nivelit të mesëm e të lartë, nëpërmjet investimeve të ndryshme në funksion të kësaj industrie.
6.     Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për menaxhimin e fondit.  
7.     Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, programohen në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
8.     Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)