Duke folur në konferencën “Green Line Albania”, Peleshi nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së pastër të mjedisit, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët, më 21 nëntor, të bëhen pjesë e nismës vullnetare për të pastruar dhe mirëmbajtur mjedisin.
“Ne e keqkuptuam kapitalizmin që kishte të bënte thjesht me interesin vetjak të gjithsecilit. Ndonjëherë kur ndodhin emergjenca të tilla si përmbytjet, duket sikur mjedisi na e kthen siç jemi sjellë ne keq me të ndër vite. Mjafton të hedhim një vështrim për të parë se sa keq jemi sjellë me mjedisin. Sot ka ardhur koha për të bashkuar zërin për të filluar një faqe të re, për t’i rënë një kambane të re, sepse siç thotë populli “pilafi nuk mban më ujë”. Normalisht mjedisi nuk mund të pastrohet në një ditë. Por gjithë qeveria ka vullnetin të strukturojë nisma të tilla, me organizata që i janë bashkuar kësaj lëvizje.” tha Peleshi
Peleshi: Kultivojmë një kulturë për të rinjtë
Duke vazhduar më tej, Peleshi u shpreh se nisma të tilla mundësojnë kultivimin e një kulture të re edhe për të rinjtë. Zëvendëskryeministri shprehu mbështetjen e qeverisë për këtë nismë, ndërsa u tha se nisma të tilla vullnetare, i përkasin një kulture perëndimore së cilës Shqipëria aspiron të bëhet pjesë.
Peleshi ftoi të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë më 21 nëntor e këtij aktiviteti, ndërsa shprehu bindjen se nisma të tilla do të jenë edhe më të shpeshta në të ardhmen.
“Është shumë e rëndësishme të krijojmë një kulturë edhe për të rinjtë, pasi ata janë ata që do të marrin në dorë mjedisin brenda pak vitesh. Sa më i ndotur të jetë mjedisi, aq më shumë njerëzit priret ta ndotin. Sa më i sistemuar të jetë ai aq më pak njerëzit priret që ta ndotin. Investimet tona, dua të them se gjatë këtij viti kemi investuar 100 milionë dollarë për rigjenerimin e zonave kryesisht turistike, pasi nuk mund të pretendojmë për turizëm me zona të ndotura. Po punojmë t’i bëjmë fshatrat dhe qytetet tona më miqësore. Hapësirat publike janë ambiente ku mund të kultivohen vlera kombëtare. Le të koordinojmë përpjekjet tona për përmirësimin e peizazhit në Shqipëri, dhe vullnetarizmit, që është një vlerë e shoqërive të emancipuara, ku ne duam të bëhemi pjesë. Jo vetëm e përshëndes, por dua të ftoj gjithëkënd kushdo që e kupton se sa e rëndësishme është e ardhmja e Shqipërisë, të bëjë një gjest, të thotë një fjalë, për rëndësinë që ka mjedisi. Jam i bindur se kambana e 21 nëntorit, do të dëgjohet më fort nëse gjithkush do të bëhet pjesë.” u shpreh zëvendëskryeministri Niko Peleshi
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)