TIRANE- Krijimi dhe fuqizimi i bizneseve sociale është objektivi i konferencës së organizuar sot nënë kujdesin e zv.kryeministrit Niko Peleshi dhe me prezencën e nobelistit për Paqe që e ka krijuar këtë organizatë, Muhamet Jonuz. Kjo iniciativë prej dy vitesh është aktive edhe në Shqipëri, dhe synon të menaxhojë fonde për bizneset sociale në vendet në zhvillim, si dhe asistencë këshilluese për kompanitë e fondacionet.
 
Muhamet Jonuz u shpreh se tashmë janë krijuar modelet që shërbejnë si shembuj në të gjithë botën.
 
“Për të luftuar papunësinë, sidomos tek të rinjtë, duhet t’ju japim mbështetje duke vlerësuar idetë e tyre kreative, dhe duke i kthyer në mundësi investimesh. Shqipëria si vend i vogël ka mundësi që të jetë lider i bizneseve sociale në Ballkanin Perëndimor”, tha Jonuz.
 
Zv.kryeministri Peleshi theksoi se qeveria do të japë mbështetje të plotë për bizneset sociale.
 
Në vitin 2006 Muhamet Jonuz mori çmimin “Nobel” për Paqe me motivacionin se paqja e qëndrueshme nuk mund të afrohet nëse nuk gjenden mundësi për të ndihmuar të varfrit që të punësohen.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)