Kreu i Kuvendit Niko Peleshi, ka zhvilluar një takim në Parlamentin e Irlandës në Dublin, ku në fokus ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Peleshi ka ndarë detaje nga takimi në rrjetet sociale, ku është takuar me Barry Ward dhe anëtarë të Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, bëhet fjalë për një takim të vlefshëm pune dhe shkëmbimi mendimesh mbi arritjet dhe sfidat e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga Irlanda, sidomos në kuadër të Presidencës së Këshilli i Bashkimit Europian që vendi do të mbajë në periudhën korrik-dhjetor 2026.
“Në Parlamentin e Irlandës, me Barry Ward dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian. Një takim i vlefshëm pune dhe shkëmbimi mendimesh mbi arritjet dhe sfidat e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe mbi vijimin e mbështetjes nga Irlanda, veçanërisht në kuadër të Presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Europian, gjatë periudhës korrik-dhjetor 2026. Progresi ynë i dukshëm na jep besim se rruga drejt anëtarësimit është e pakthyeshme”, shprehet Peleshi në postimin e tij.
Komente











