Mbështetja e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ka qenë në qendër të takimit mes kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe Presidentes së Bundestagut, Julia Klöckner, gjatë vizitës zyrtare në Berlin. Në një moment kyç për procesin e integrimit për Shqipërinë, pala gjermane në takim ka riafirmuar rolin e saj si një nga mbështetëset kryesore të reformave dhe avancimit të Shqipërisë drejt BE-së, duke theksuar se progresi duhet të vijojë i bazuar në merita.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e forta mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik. Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë në fusha si drejtësia dhe demokracia, ndërsa u ndal edhe te rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. “Gjermania mbetet një partner kyç për Shqipërinë”, theksoi ai, duke nënvizuar edhe nevojën për tërheqjen e mëtejshme të investimeve në sektorë si energjia, teknologjia dhe turizmi. Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe BE-së, me theks te stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi i plotë për shtyp i kryetarit të Kuvendit
"Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani. Kryetari Peleshi u prit sot nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner. Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të cilat karakterizohen nga një dialog i intensifikuar politik dhe mbështetje e vazhdueshme e Gjermanisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për rolin kyç të Gjermanisë në mbështetjen e reformave, veçanërisht në fushat e drejtësisë, demokracisë dhe legjislacionit zgjedhor. Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. U theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend. Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili është shumë aktiv, me shkëmbime të rregullta vizitash dhe intensifikim të kontakteve mes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre shkëmbimeve për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit. Gjermania u vlerësua si një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, me rritje të ndjeshme të investimeve e shkëmbimeve tregtare gjatë viteve të fundit. Kryetari Peleshi shprehu gatishmërinë për të përmirësuar më tej klimën e biznesit dhe për të tërhequr më shumë investime gjermane në sektorë kyç si energjia, industria, teknologjia dhe turizmi. Gjithashtu, palët diskutuan zhvillimet në rajon dhe sfidat e sigurisë e të paqes, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. U riafirmua angazhimi i të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me politikat e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së. Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Berlin konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Shqipëri-Gjermani, mbëshetjen e anëtarësimit në BE dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar, politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Gjermani nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Taulant Balla, deputetët Iris Luarasi, Erion Malaj, Edmond Haxhinasto, Redi Muçi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi."
Komente










