Pëllumb Xhufi zbulon ku shtriheshin
“Arbërit e Jonit” nga shekulli XV-XVII

Pëllumb Xhufi zbulon ku shtriheshin<br />“Arbërit e Jonit” nga shekulli XV-XVII
Sapo ka dalë në dritën e botimit libri “Arbërit e Jonit- Vlora, Delvina dhe Janina në shekujt XV-XVII” i studiuesit dhe historianit të njohur prof. Pëllumb Xhufi nga shtëpia botuese Onufri.
 
Kjo është një vepër e rëndësishme mbi historinë e Shqipërisë. Në këtë libër profesor Xhufi zbardh disa nga të vërtetat historike, të shek. XV-XVII, ku sipas tij “Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme”.
 
Xhufi pasqyron në libër gjithë të dhënat historike sesi këto treva ishin vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare dhe përshkruan përmes dokumenteve dhe arkivave sesi ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë.
 
“Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Përpjekje, të cilat sintonizoheshin me lëvizjet e vazhdueshme për çlirim e shkëputje të popullsive shqiptare të asaj treve”, shkruhet në parathënien e librit.
 
Mbi bazën e burimeve të shumta, në një pjesë të madhe të panjohura e të zbuluara prej tij në arkivat e Venedikut, studiuesi i njohur i Mesjetës shqiptare, Prof. Pëllumb Xhufi, evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë.
 
Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpesh herë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII.
 
Por, në këtë libër, mbi bazën e burimeve dokumentare të cituara bollshëm, lexuesi do të njihet edhe me aspekte po aq interesante të organizimit administrativ, të veprimtarive ekonomike e tregtare, të lëvizjeve demografike, të strukturës sociale, të institucioneve juridike, të zhvillimeve kulturore e fetare të shoqërisë shqiptare në ekstremin jugor të saj, ku mbetën gjithnjë të forta lidhjet dhe shkëmbimet me shtetet italiane, në veçanti me Mbretërinë e Napolit e me Republikën e Venedikut. Ky libër ka rreth 1440 faqe.

libri i xhufit

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Për të korrigjuar gabimin e Abakarov, Shqipëria përfaqësohet sot me Chermen Valiev në Lojërat Olimpike

Paris 2024/ Për të korrigjuar gabimin e Abakarov, Shqipëria përfaqësohet sot me Chermen Valiev në Lojërat Olimpike