Pas fitores deçizive me Teutën, Partizanin kryesues të Superligës të premten e pret një tjetër përballje vendimtare me Vllazninë e vendit të katërt, që ka vetëm dy pikë diferencë. Ashtu si të kuqtë edhe në kampin Shkodran synojnë vetëm tre pikët, pasi një fitore do t’i nxirrte ato pretendente për titull në një kohë kur kanë mbetur edhe dy javë kampionat.
Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Dëshirojmë që të shkojmë te fitorja me Vllazinë. Është një duel 90 minutësh ku do fukusohemi vetëm te kjo ndeshje, pasi kemi edhe një sfidë tjetër të rëndësishme për kampionatin. Nëse do kisha një peng do ishte po të mos finalizonim edhe këto dy ndeshje, por besoj se të gjithë do bëjmë të pamundurën për të fituar një kampionat ku askush nuk na ka parë si pretendent.”
Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë: “Një ndeshje e rëndësishme ashtu si të gjithë sfidat e tjera, sespse objektivi është të marrim tre pikët. Jemi shumë të bindur, të sigurtë në këtë situatë sepse s’kemi asgjë për të humbur, por vetëm për të fituar sepse kemi bërë një sezon të madh. E meritojmë ta luajmë ndeshjen e së nesërme.”
Ndërkohë Tirana pas humbjes me Laçin ka dalë nga objektivi për të arritur kupat e Europës. Kjo ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Shehi, që para sfidës me Apoloninë ka deklaruar.
Orges Shehi, trajner i Tiranës: “Personalisht kam një kontratë deri më 31 maj. Më pas do ulemi për të diskutuar me presidentin. Një gjë është e sigurtë, do ulemi, do bisedojmë dhe në fund do t’i japim dorën njëri-tjetrit si do që të jetë puna: për vazhdim ose jo. E rëndësishme është që ketë mirëkuptim dypalësh.”
Një ndeshje shumë vendimtare është ajo mes Laçit dhe Teutës, vendi i dytë dhe i tretë në klasifikim, ndërsa në Korçë Skënderbeu kërkon të mbyllë llogaritë e mbijetesës në përballjen me Kukësin.
Migen Memelli, trajner i Skënderbeut: "Skuadra është me impenjimin e duhur, ka intensitetin e duhur. Siguria e pikëve tani është marrë, por ajo që na kërkohet është të fitojmë këtë ndeshje dhe të dalim nga zona e ‘play-out’.”
Ndeshja tjetër e kësaj jave është mes Kastriotit dhe Bylisit. Një 90 minutësh i egër që me shumë gjasë përcakton kush bie nga kategoria. Të pesë ndeshjet e javës së 35 të Superligës do të luhen të premten në orën 17:00.