Pengesat e fundit për 7 institucionet e drejtësisë së re

Pengesat e fundit për 7 institucionet e drejtësisë së re

Një nga mbledhjet e KLP-së

Tre vjet pas ndryshimeve Kushtetuese, ku u projektua arkitektura e drejtësisë së re, pasuar me miratimin e 7 ligjeve kryesore, sot vetëm katër organe të sistemit të ri funksionojnë. Konkretisht funksionojnë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të konsideruara si dy qeveritë e gjyqësorit, si dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës. Ndërkaq, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykata e Posaçme, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Lartë janë jashtë funksionit. Konstituimi i tyre pritet të finalizohet gjatë muajve në vijim katër vite pas miratimit të reformës në drejtësi. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 pritet të zgjidhjet edhe kryeprokurori me mandat 7-vjeçar.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Aktualisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shpallur 8 kandidatë, të cilët po i nënshtrohen procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes. Ata janë Klodian Rado, Joana Asimi (Sorraj), Lindita Troja, Sokol Stojani, Artur Malaj, Artur Metani, Eris Hysi dhe Marsida Xhaferllari. Verifikimi ka nisur në muajin shtator dhe sipas ligjit mund të zgjasë dy muaj, që do të thotë deri në nëntor 2019. Lista do t’i përcillet Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e kërkuar për asnjë prej kandidatëve brenda tridhjetë ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar. Pra, zgjedhja e Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të finalizohet deri në fund të vitit 2019 dhe fillim të vitit 2020.

Gjykata Kushtetuese
Pengesat kryesore për mungesën e finalizimit të plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë më humbjen e një viti kohë, pasi nga 9 anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në vitin në , 8 u shkarkuan nga Vetingu. Ata janë Rovena Gashi, Bashkim Dede, Artan Broci, Altina Xhoxhaj, Shkëlzen Selimi, Gentian Trenova, Fatos Qato dhe Ahmet Jangulli. Rrëzimi i KED të 2018 nga Vetingu pamundësoi procesin e miratimit të paketës nënligjore dhe nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Kushtetueses. Më tej, pengesat kanë të bëjnë me ‘djegien’ nga Vetingut të disa kandidatë për në Kushtetuese, mungesën e kandidatëve dhe përplasjet mes Kuvendit dhe Presidencës. Aktualisht, KED ka dërguar tre lista, dy në Presidencë dhe një në Kuvend, për tre nga gjashtë vende vakante. Ndërkaq, proceduat për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Kushtetueses nga Gjykata e Lartë janë bllokuar pasi nuk ka pasur interes nga kandidatë, ndërsa tashmë Gjykata e Lartë nuk funksionon.

Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë mund të jetë funksionale brenda vitit 2020. Në shtator të këtij viti, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar 8 kandidatë për gjyqtarë, që garojnë për tre vende në Gjykatën e Lartë. 14 kandidatë të tjerë u skualifikuan për mosplotësim të kritereve për atë detyrë. Pas verifikimit dhe renditjes, KLGJ do t’ia përcjellë listën Presidentit Ilir Meta. Ky i fundit, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Pkonstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Tre anëtarët e parë pritet që të emërohen brenda vitit, ndërsa anëtarët e tjetër gjatë vitit që vjen.

Prokuroria e Posaçme
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur 15 kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, e cila duhet të ketë jo më pak se sa 10 anëtarë. Por, nga 15 kandidatë, vetëm 8 kanë kaluar Vetingun me vendime të formës së prerë. Që të nisë konstituimi i Prokurorisë së Posaçme duhen që të paktën 10 kandidatë të jenë konfirmuar përfundimisht në detyrë nga organet e Vetingut. Sipas të gjitha gjasave, Prokuroria e Posaçme do të jetë funksionale brenda vitit 2019.

Byroja Kombëtare e Hetimit
Ngritja e Prokurorisë së Posaçme është përcaktuese për të nisur procedurat për themelimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një komision përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas emërimit, drejtori i Byrosë së Hetimit do të hartojë një rregullore për procesin e rekrutimit të hetuesve të Byrosë së Hetimit, bazuar në kriteret e përgjithshme dhe specifike të parashikuara në ligjin për SPAK-un.

Gjykata e Posaçme
Dy gjykatat speciale të shkallës së parë dhe apelit, për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ngihen paralelisht me Prokurorinë e Posaçme. Ngritja e SPAK shënon edhe finalizimin e reformës në drejtësi pas pesë vitesh rezistencë, pengesa, grindje, akuza, përpjekje për ta sabotuar dhe angazhim nga SHBA-BE. Këshilli i Lartë Gjyqësor, tre ditë para mbylljes së vitit 2018, ka vendosur nisjen e procedurave për formimin e dy gjykatave speciale. 22 gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për Krimet e Rënda kanë dhënë pëlqimin për të shërbyer në Gjykatën e Posaçme apo siç njihet ndryshe Gjykatën Speciale. Pengesa për finalizimin e Gjykatës së Posaçme është se jo të gjithë kandidatët kanë kaluar Vetingun si dhe mungesa e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, pasi kjo gjykatë shqyrton dosjet që vijnë nga Prokuroria e Posaçme.

Kryeprokurori
Një padi në gjykatë e avokatit Lulzim Alushaj kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e ka përjashtuar nga lista e kandidatëve për kryeprokuror, ka bllokuar garën për zgjedhjen e kreu të organit qendror të akuzës në Shqipëri. Që procesi të zhvillohet duhet të ketë të paktën një vendim të apelit që të konfirmojë vendimin e KLP-së ose t’i japë të drejtë kandidatit Alushaj për të vijuar garën. Pas përfundimit të këtij procesi, KLP do të rendisë kandidatët sipas meritave, duke ia përcjellë Kuvendit. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.

Institucionet e drejtësisë të paplotësuara
1.   Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë
2.   Prokuroria e Posaçme
3.   Byroja Kombëtare e Hetimit
4.   Gjykata e Posaçme
5.   Gjykata Kushtetuese
6.   Gjykata Lartë  

Institucionet e drejtësisë të konstatuara
1.   Këshilli i Lartë Gjyqësor
2.   Këshilli i Lartë i Prokurorisë
3.   Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
4.   Shkolla e Magjistraturës

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje