TIRANË- Reforma e pensioneve e ndëmarrë nga qeveria prek dhe pensionet e zyrtarëve të lartë, atyre që ushtrojnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të lartë të shtetit.
Një projektligj i propozuar nga qeveria dhe i depozituar për shqyrtim në parlament parashikon rritje të moshës së pensionit për këtë kategori, por dhe rritje të përqindjes së kontributeve që ata duhet të derdhin në fondin e sigurimit shtetëror suplementar.

Pr/ligji i plotë saktëson kategoritë që do të pësojnë rritje të moshës së pensionit që janë funksionarët e lartë të shtetit nga presidenti, kryetari i kuvendit, kryeministri, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, por dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese, të cilët dilnin në pension në moshën 55 vjeç. Ndërkohë duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.

Ndryshimet në ligjin “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, nisin me shtesa që në nenin 1 të tij, ku pjesë e grupit të parë, ku përfshihet Presidenti, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, kryetarët dhe antarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, kryetari i KLSH-së, prokurori i Përgjithshëm dhe deputetët, do të bëjnë pjesë edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe zëvendëskryetari i KLD-së.

Më tej neni 5 i ligjit bazë ndryshon masën e kontributeve, duke e rritur atë me 1 për qind. Përkatësisht zyrtarët e grupit të parë do të paguajnë 5 % të shumës bruto të listëpagesave nga 4 % që ishte më parë; personat e grupit të dytë do të paguajnë 4 % të listëpagesave nga 3 % që ishte më parë, ndërkohë që kjo përqindje rritet nga 2 në 3 për qind për personelin specialist, ku do të përfshihen specialistët dhe personat e tjerë të barazueshëm me ta në funksion e pagë, sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë që zyrtarët të cilëve gjatë trajtimit me pagesë kalimtare u lind e drejta për një përfitim nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, mund të zgjedhin llojin e përfitimit, pra pensionin apo masën e pagesës kalimtare.

Ndryshimet në nenin 8 të ligjit bazë përbëjnë edhe thelbin e pr/ligjit të miratuar nga qeveria ku përcaktohet se tashmë mosha e pensionit për zyrtarët do të jetë 60 vjeç dhe jo më 55 siç ishte deri tani. “Kushtet e përfitimit për “grupin e parë” janë: Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç”citohet neni në fjalë.
Në një kohë që neni 6 i projektligjit përcakton që masa e pensionit shtetëror suplementar për presidentin, kryetarin e kuvendit dhe kryeministrin do të jetë 25 % e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 % më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet. Ndërsa për zyrtarët e tjerë që bëjnë pjesë po në grupin e parë kjo masë do të jetë 25% e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 % më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet.

Me shtesat e bëra në nenin 19 të ligjit bazë përcaktohet që pensionet shtetërore suplementare me datë fillimi deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, caktohen sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi deri në atë datë dhe nuk janë objekt ndryshimi apo rillogaritjeje, përveç indeksimit sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

“Personat, që kanë fituar të drejtën për pension shtetëror suplementar në moshën 55 vjeç e lart, do të vazhdojnë të paguhen pavarësisht se nuk e kanë arritur moshën e përcaktuar në këtë ligj. Personat, që janë trajtuar me pension shtetëror suplementar dhe e kanë ndërprerë atë për arsye punësimi, kanë të drejtën e rikthimit në skemën e pensioneve suplementare edhe përpara moshës 60 vjeç”, citohet neni 19 i pr/ligjit./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shquptarja.com)