Udhëzimi merr për bazë Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 4.4.2019 “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për llogaritjen e pensioneve”, me qëllim zbatimin e tij nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Këshilli i Ministrave në muajin prill ka vendosur që koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit, të jetë 3.7 për qind.
Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve, me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin nr. 571, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, "Për koeficientët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve", shtohen edhe me koeficientin 3.7 për qind.
Sipas VKM-së, në vitin 2019, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientët vjetorë të këtij vendimi, nuk mund të jenë më të larta se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 26.000 lekësh (paga paga minimale aktuale në shkallë vendi) për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001.
Ndërkohë, nuk mund të jen më të larta as se paga maksimale në shkallë vendi, prej 114.670 lekësh, që konsiderohet si pagë maksimale zyrtare.
Kur fillon llogaritja
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Udhëzimi
Në zbatim të VKM-së, Instituti i Sigurimeve Shoqërore njofton se tanimë koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit, është 3.7 për qind.
Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve, me datë lindje së të drejtës pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 4.4.2019, koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 571, datë 3.10.2018, “Për koeficientët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, shtohen edhe me koeficientin 3.7 për qind.
Si llogariten pagat
Në zbatim të VKM-së, thekson Udhëzimi, pagat, mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientët vjetorë sa më sipër nuk mund të jenë më të larta se:
a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, 26.000 lekë, e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 809, datë 26.12.2018 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31 dhjetor të vitit 2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, 114.670 lekë, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit 10, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.
Si llogariten pensionet
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 4.4.2019, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 48, datë 11.4.2019 dhe indeksimi i pagave me koeficientët e rinj, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve, do të bëhet vetëm për pensionet me datë lindje të së drejtës nga data 12.4.2019 e në vazhdim.
Koeficientët e indeksimit të pagave, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 571, datë 3.10.2018 “Për koeficientët e indeksimit të pagave, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, mbeten në fuqi dhe përdoren për indeksimin e pagave, mbi të cilat janë paguar kontributet vetëm për pensionet me datë lindje së të drejtës në harkun kohor 1 janar 2018 – 11 prill 2019, përfshirë edhe këtë datë.