Pensionet/ Pagat para vitit 1994, si llogariten për përfitimin e pensionit

Pensionet/ Pagat para vitit 1994, si llogariten për përfitimin e pensionit

Pas vitit 1990 në Republikën e Shqipërisë ka ndodhur një ndryshim i ndjeshëm në nivelin e pagave dhe të çmimeve. Në rast se deri atëhere paga minimale ishte 350 lekë në muaj dhe ajo maksimale konsiderohej zyrtarisht 1.000 lekë, shifrat “kërcyen” me ritme të shpejta pas ndryshimit të sistemit ekonomiko-shoqëror. Ka patur raste që, në vorbullën e këtij ndryshimi, shumëkush të ketë humbur. Kështu, në rast se ndokush ka harruar në depozitën e bankës së vetme shtetërore të nivelit të dytë psh 350 lekë, po të paraqitet tek sporteli i po asaj banke sot, do të marrë përsëri 350 lekë, me shtesën e interesave, duke mbetur i zhgënjyer. Shteti shqiptar nuk ka parashikuar asnjë masë për të mbrojtur këta qytetarë, që mendonin se do të merrnin aq sa është paga minimale aktualisht, pra 26.000 lekë, ose 74 herë më shumë.

Por një situatë e tillë, të paktën, është shmangur tek pensionet. Në rast se shuma e pensioneve tani do të llogaritej mbi bazën e pagave nominale të asaj kohe, niveli i tyre do të ishte qesharak. Për këtë arsye, me ligje dhe vendime të caktuara është parashikuar edhe përafrimi në llogaritje i pagave të asaj kohe me ato aktualet, me anë të një sistemi pagash referencë, plus koeficientin shumëzues të tyre. Ndërkohë që referencat janë përcaktuar që në gusht të vitit 2005 dhe nuk kanë ndryshuar më, koeficientët që i shumëzojnë ato ndryshojnë vit pas viti, duke marrë parasysh edhe inflacionin. Duke qenë se reforma për pensionet me sistemin e ri ekonomik është bërë në fund të vitit 1993, llogaritja e pagave referencë bëhet duke marrë ato deri në fund të atij viti, pra para vitit 1994.

Pagat referencë
Sipas kësaj formule, paga më e lartë referencë në piramidën shtetërore merret ajo e kryetarit të Këshillit të Ministrave, që llogaritet në masën 8 mijë e 220 lekë, pasuar nga paga e zëvendësit të tij në masën 7 mijë e 946 lekë në muaj. Për ministrant llogaritja bëhet mbi bazën e një page referencë 7.672 lekë, ndërkohë që një specialist me arsim të lartë që punonte në instituscionet qendrore llogaritet se merrte një pagë 4.384 lekë. Por i njejti specialist me shkollë të lartë do të konsiderohet se merrte një pagë referencë më të ulët, prej 4.110 lekësh, në rast se nuk punonte në institucione qendrore të shtetit.

Sa u përket specialistëve të mesëm, paga referencë për punonjësit e ministrive do të ishte 4.000 lekë, 3.672 lekë në institucione të tjera dhe 3.507 për gjithë të tjerët.

Sa u përket punëtorëve, pagën më të lartë referuese e kanë punonjësit e nëntokës me 4.302 lekë, për të përfunduar tek paga më e ulët e punëtorit të pakualifikuar, prej 2.685 lekësh.

Në fund të vitit 2014 është bërë edhe një shtojcë në pagat refereuese, duke përfshirë ata që kanë punuar nëpër ish-kooperativat bujqësore, pagat referencë të të cilëve janë caktuar në masën 1 mijë e 619 lekë. Kjo pagë mungonte në VKM-në e vitit 2005.

Koeficientët
Në dukje të parë, sërish kemi të bëjmë me një absurditet, pasi niveli i pagave të ministrave në atë kohë nuk mund të llogaritet me 7.000 lekë aktualë. Por pagat e referencës, që janë të palëvizshme, “korrigjohen” vit pas viti me një koeficient. Konkretisht, kur një person në vitin 1994 merrte një pagë 7 mijë lekë, kjo pagë do të shumëzohet me koeficentin 8.76 dhe për llogaritjen e pensionit do të merret parasysh paga 61.300 lekë të reja, që i afrohet, pa u barazuar asnjëherë, me nivelin aktual të pagave.

Pensionet aktualisht llogariten me 1% e pagës, mbi të cilën janë paguar kontributet për çdo vit, shumëzuar me vitet e punës që ka realizuar qytetari që tani ka arritur moshën e pensionit, plus pensionin social.

Koeficienti më i lartë është ai i pagave para vitit 1994, i cili edhe këtë vit është ndryshuar në rritje, ashtu sit ë gjithë koeficientët e tjerë, me anë të një Vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave, që rriti 3.7% koeficientin për vitin 2017, që ishte 1 dhe të tjerët do të rriten automatikisht pas tij.

Pagat
Në vitin 2019, pagat mbi tëmbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koefiçentët vjetorë, do të kenë dy kufij maksimalë. Ky kufi nuk do të kalojë trefishin e pagës minimale në shkallë vendi, prej 26.000 lekësh, e përcaktuar në vendimin nr.809, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001.

Ndërkohë, nuk mund të kalojë pagën maksimale në shkallë vendi, prej 114.670 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit nr.10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë