MALLAKASTER- Në Çorrush të Mallakastrës, banorët e mbetur në fshat, mbijetojne me mbledhjen e bimëve medicinale.

Aktiviteti zhvillohet kryesisht gjatë pranverës dhe verës, kur banorët e nisin diten heret ne mengjes.

Në shporta e canta ata mbledhin shtog, rigon, hithra dhe bimë të tjera të egra, të cilat i shesin tek grumbulluesit.

Për shumë prej tyre, kjo punë eshte e vetmja mundësi ekonomike, në një zonë ku alternativat e punësimit janë të kufizuara dhe pensionet te pamjaftueshme.

“Është punë e vështirë, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Sot e marrin shtogun me 2 mijë lekë (të vjetra) por më pas bie çmimi edhe me 1 mijë lekë. Është në varësi të grumbulluesve. Sa duan ata e caktojnë çmimin. Unë marr 100 mijë lek të vjetra pension që s’më dalin për ilace, kështu që dal në male për të nxjerr bukën e gojës”, thanë bashkëshortët Barjam dhe Asime Mahmutaj.

Megjithatë, banorët thonë se fitimet janë në rënie, pasi çmimi i shitjes së bimëve mjekesore eshte ulur ndjeshëm vitet e fundit.

“Më parë kishte më shumë leverdi. Tani çmimet janë të ulëta”, tha Luiza Dervishaj banore.

Tradita e mbledhjes së bimëve medicinale në Çorrush është përcjellë ndër breza por sot sipas banorëve, po zbehet sepse në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit.

Çorrushi është një nga 41 fshatrat e bashkisë së Mallakastrës, e cila sipas Censusit të vitit 2023 numëron rreth 15 mijë e 800 banorë.

Brenda një dekade, kjo bashki ka humbur 40 për qind të popullsisë, pasi deri ne 2011-en, kishte rreth 27 mijë banorë.