Me mijëra qytetarë vijojnë të punojnë pavarësisht se kanë dalë në pension, e njëkohësisht paguajnë kontributet si të gjithë të punësuarit e tjerë. Deputeti i PD-së Igli Cara, përmes një drafti të depozituar në Kuvend, propozon që pensionistët duhet të përjashtohen nga detyrimi për të paguar sigurime shoqërore, përsa kohë kanë kontribuar një herë për pensionin e tyre.

“Ai e ka kryer detyrimin e tij ka kontribuar gjithë ato vite dhe ka dalë në pension, për këto vite që punon mund të paguaj sigurime 10 milionë euro dhe nuk merr asnjë lekë. Ato paguajnë sigurime përsëri për një skemë që nuk do ti marrin më, kur do iu rikthehen këto para? A nuk quhet kjo marrje e padrejtë?”, tha Igli Cara deputet i PD.

Por kjo nismë nuk gjen mbështetjen e mazhorancës. Zëvendësministrja e Ekonomisë Olta Manjani shpjegon se qeveria po shqyrton dy opsione për këtë situatë, ose dhënien e një bonusi për pensionistët e punësuar ose rritje të pensionit mujor.

“Nga njëra është rillogaritja e pensionit mbi bazën e kontributeve shtesë, ose dhënia e një pagese për çdo vit sigurimi pas daljes në pension”, tha Manjani.

Këto ndryshime thotë qeveria po bëhen në kuadër të skemës së re që po punohet prej 2 vitesh, e cila pritet të adresojë problemin e pensioneve të ulta por edhe deficitin e lartë që aktualisht ka skema.

Një ndër arsyet pse po bëhet reforma është për të adresuar mjaftueshmërinë e pensionit, krahas elementeve të tjerë si qëndrueshmëria fiskale e skemës, pasi është një skemë deficitare. Aktualisht deficiti është 200 milionë euro”, tha Manjani.

Nga ana tjetër PD thotë se për shkak të këtij detyrimi, për të paguar sigurimit mijëra pensionistë të punësuar nuk deklarohen, pra janë informal. Sipas tyre janë 140 mijë pensionistë të punësuar por vetëm 13 mijë deklarohen.

Në përfundim të diskutimeve në Komisionin e Bujqësisë, përballë 5 votave pro të opozitës ishin 8 deputetë të mazhorancës që votuan kundër, duke bërë që projektligji të rrëzohet.