Për 1 puthje

Për 1 puthje

Për 1 puthje, nëse do ma premtosh, do ta bëj nga qefi 3 herë më këmbë udhëtimin e Magelanit rretheqark botës.
Për 1 puthje, nëse ky është kushti, për 6 javë rresht do luftoj me dallgët e oqeanit, do zbuloj 1 Amerikë tjetër.
Për 1 puthje, po ma lejove, ulem e shkruaj dhe ta dedikoj një novelë më të bukur se "Zonja me kone" e Çehovit.
Për 1 puthje, po nuk kundërshtove, e thur dhe ta fal një roman më të hatashëm dhe më të mrekullueshëm se "Anna Karenina" e Tolstoit.
Për 1 puthje, nëse je dakord, ta bëj një tragjedi më rrënqethëse, më turbulluese, më tmerruese, se "Romeo e Xhulieta" e Shekspirit.
Për 1 puthje jam gati të sakrifikoj të mos e shoh me sy 3 muaj muzgun e përgjakur te Kepi i Rodonit.
Për 1 puthje mund të duroj deri në 1 muaj pa parë Myzeqenë, Kishat, Manastiret, e saj. 
Për 1 puthje rezistoj deri në 2 muaj pa vajtur të nuhas aromat e Luginës së Vjosës.
Për 1 puthje bëj si bëj duroj pa dëgjuar muzikën më të bukur të botës; shushurimën e përrenjve të Mokrës.
Për 1 puthje, po ma lejove, e largoj për 3 muaj mallin përvëlues për me kalu nga malet e Skraparit, kanionet e Osumit, Mulliri i Hambullës, Sevranji, Teqeja e Alipostivanit, Pacomit, Këlcyrë, Ballaban, Qafa e Kiçokut, Buz, Çorrogjafë, Zhapokikë, Tërpan, Qafa e Kumbullës, Ura e Gorricës, Berat, Kuçovë, mespërmes Dumresë, Tiranë.
Për 1 puthje, po ma mundësove, nuk do më bjerë në men për 3 muaj të kaloj nga Gramshi, Moglica, Lozhani, Maliqi, me gjithë bukuritë e tyre të frymëndalëse.
Për 1 puthje duroj deri në 1 vit pa vajtur të shoh Korçën fine, magjike, tronditëse.
Për 1 puthje duroj deri në 5 ditë pa u rrënqethur nga rrezatimi kozmik i Voskopojës.
Për 1 puthje mund të rezistoj deri në 10 netë pa më dalë në ëndërr Shën Prodhomi.
Për 1 puthje mund ti largoj nga përfytyrimi deri në 5 ditë e pesë net Lasgushin, Liqerin, Malin e Thatë.
Për 1 puthje duroj deri në 1 javë pa uluritur brenda gjoksit poezi përmendësh duke ikur rrugës.
Për 1 puthje rri edhe 10 ditë pa ngrënë.
Për 1 puthje rezistoj deri në 2 javë pa vënë në gojë tavë me speca të mush, turli me bamje ose patllixhana.
Për 1 puthje duroj më tepër se 20 ditë pa pirë ujë dhe asnjë lëng tjetër.
Për 1 puthje e sjell në moment shiun pa çadër.
Për 1 puthje e nis dhe e ndal kur të duash dhe sa herë të duash furtunën.
Për 1 puthje ta ndal në çast erën që të bezdis duke ti shpupurisur flokët.
Për 1 puthje e ngre nga varri dhe e ngjall cilindo të vdekur që të duket se e meriton.
Për 1 puthje e fus në varr për 1 sekondë cilindo të gjallë që sipas Teje në këtë tokë vetëm ha e pi dhe nuk bën asgjë tjetër.
Për 1 puthje e thaj detin dhe e mbjell me grurë, misër, domate, patate, edhe me hashash po deshe.
Për 1 puthje e hap për 6 muaj një tunel të nëndheshëm pa asnjë dalje të shkosh për 10 minuta nga Tirana në Prishtinë.
Për 1 puthje, nëse kjo është dëshira jote, e shkaktoj pa më lëviz qerpiku një tërmet 7 ballë që zgjat 20 minuta, që e tund tokën si djep pa bërë asnjë dëm.
Për 1 puthje ta plotësoj dëshirën që brenda 3 ditësh ti kthej në Shqipëri të gjithë emigrantët që enden kotmëkot poshtelart udhëve të botës.
Për 1 puthje, po qe se të zbavit, e shemb Internetin, i bëj lesh arapi emailat, mesazhet, Fejsbukun, Instagramin, selfiet, ngatërroj dynjanë, e bëj botën Babel.
Për 1 puthje, nëse ideja të përkëdhel, 5 dit' e pes' net' rresht nuk do shoh asnjë ëndërr, as zgjuar as fjetur, as me sy hapur, as me sy mbyllur.
Për 1 puthje, nëse ta do kokrra e qefit, e ndal kur të më teket rrotullimin e tokës
Për 1 puthje zgjas dorën e marr dhe e kafshoj hënën si mollën e mëkatit.
Për 1 puthje do ta fik Diellin si llampën e abazhurit, dhe do të puth.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë