TIRANE-Saimir Gjepali mban fjalën e dhënë gardianëve të burgut 313-të duke dalë nga qelia. Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë duke e nxjerrë nga qelia Gjepalin, që u arrestua në vitin 2018, si pjesë e grupit Avdyli të Shijakut, të akuzuar për laboratorin e heroinës në Has.

Gjyqtari Vladimir Skënderi  ka pranuar kërkesën e Gjepalit duke e nxjerrë në detyrim paraqitje. Prokuror i dosjes ishte Drini Pali. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura në gjykatën e Durrësit dy ditë më parë. Gjepali së bashku me Hekuran Hoxhën, të njohur ndryshe si "Roni i Shijakut" së bashku biznesmenin Admir Hoxha ( i shpallur në kërkim) akuzohen për ngritjen e laboratorit të heroinës në Has.

Por për cfarë u akuzua tjetër Saimir Gjepali?
Në 16 qershor 2018 nga policia e Durrësit u ushtrua kontroll tek banesa e Saimir Gjepalit, njërit prej të pandehurve të dosjes 339 në Shijak, ku u gjetën dhe sekuestruan 149 gram kokainë, një peshore elektronike, dy armë automatike, një armë pistoletë, një armë gjahu, një pistoletë sportive, një sasi municioni dhe një automjet i blinduar.

Nga përgjimi i bisedave që Saimir Gjepali bëri me familjarët e tij, rezultoi se i udhëzoi që të hidhnin lëndën narkotike dhe pistoletën që i mbante në banesën e tij, duke iu thënë që të mos e hapnin derën e dhomës, ku ndodheshin këto sende. Më tej Gjepali porosiste gruan e tij se nuk duhet të hapte derën e barakes pasi aty kishte dy automatikë kallashnikov. Për më tepër, Gjepali e porosiste që dy kallashnikovët t'i hidhte tek pulat. Për të gjitha këto akuza ai mbahej në paraburgim te 313-ta. 

Por cfarë ndodhi në 21 maj 2020?
Në burgun 313 grupi i Shijakut ku bën pjesë dhe akuzohet si i përfshirë edhe Saimir Gjepali  u përplasën me gardianët e burgut në datë 21 maj në mesnatë. Shkak ishte fakti se nga kontrollin blic që bëri policia e burgjeve në qelinë e grupit të Shijakut, ku ishin Hajri Seferi, Astrit Avdyli, Altin Avdyli dhe Saimir Gjepali u gjet një telefon celular.

Pas kundërshtimit dhe forcë dhe ofendimeve, anëtarët e grupit Avdyalaj kërcënuan grupin e policëve, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte deklarata se njërit prej anëtarëve drejtuar efektivëve se "Për 10 ditë unë jam jashtë! Mbaje mend fytyrën time! Do të takohemi". Dhe në fakt kështu ndodhi. Saimir Gjepali doli nga qelia, pasi gjykata pranoi që të ndryshonte masën e sigurisë, pavarësisht akuzave për grupin ku akuzohet se bën pjesë dhe asaj që iu gjet në shtëpi gjatë kontrollit.

Për revoltën te 313-ta drejtori i përgjithshëm i burgjeve i kërkoi gjykatës izolimin e grupit, por kërkesa u rrëzua me argumentin e prokurorit Ervin Karanxha se ndaj tyre kishte një masë izolimi. Por ajo që habiti ishte fakti që për prokurorinë e Tiranës dhe gjykatën penale, kërcënimi me jetë i gardianëve të burgut 313-të, dhuna ndaj policëve dhe përdorimi i celularit në qeli nuk ishin një fakt shqetësues dhe s'kishte arsye për të hetuar.

Sipas dosjes së siguruar nga ReportTv paçka se u bë kallëzim penal nga drejtoria e burgjeve, për drejtësinë kjo ishte një situatë që çuditërisht s'ka fajtorë! Dhe kërcënimi me jetë i gardianëve mbetet i pa hetuar edhe pse është vepër penale kërcënim për shkak të detyrës. Saimir Gjepali ashtu sikur deklaroi, doli nga burgu.