Një ditë më parë u shënua skandali i radhës në drejtësinë shqiptare, pasi grupi Avdylaj ia hodhi sikur nuk kishte ndodhur asgjë, pavarësisht se kërcënuan dhe kundërshtuan me forcë policët brenda në burg, ndërsa iu gjetën dhe celularë. Por kush ishte prokurori i dosjes?

Gjykata vendosi që të rrëzojë Drejtorinë e Burgjeve duke marrë edhe mendimin e prokurorit Ervin Karanxha, i cili nuk ishte në të njëjtën linjë me Drejtorin Agim Ismaili, që kërkoi izolimin e grupit të Avdylajve.

I kontaktuar nga Report Tv prokurori Karanxha u shpreh se ka qenë kundër një mase shtesë izolimi nga drejtoria e përgjithshme për grupin Avdyli pasi ata e kishin një masë izoluese më parë.

"Vendimet i merr gjykata jo unë. Unë kam qenë kundër një mase shtesë izolimi nga drejtoria e përgjithshme pasi ata e kishin një masë izoluese nga paraburgimi 313-të për të njëjtën ngjarje të ndodhur më 21 maj. Sipas ligjit një person nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën gjë" tha prokurori.

E ndërsa ka argumentuar faktin se ka qenë kundër masës shtesë të izolimit për arsye se një të tillë më parë e ka dhënë drejtori i burgut 313-të për këtë grup, mbetet e çuditshme se si ka mundësi që për prokurorin nuk kanë përbërë vepra penale kërcënimet, kanosja dhe kundërshtimi me forcë i policisë nga këta persona, por edhe mbajtja e celularëve në qeli!!

Emri i Prokurori Karanxha u përfol në media edhe në janar të këtij viti, pas një vendimi që kishte dhënë ndaj për pushimin e hetimeve për një punonjës të burgut 313, i cili kishte tentuar që të fuste pije alkoolike në qelinë e Emiljano Shullazit. Prokurori Ervin Karanxha ende nuk ka kaluar në vetting.