FIER- Kanë kaluar më shumë se tri javë që kur lumi Vjosë doli nga shtrati, duke përmbytur Ferrasin e Fierit. Pasojat e përmbytjeve janë ende të dukshme, shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, me shtëpitë plot lagështi, dyert e dritaret hapur ditë e natë për të tharë ambientet, duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Dëmet shtrihen nga orenditë dhe pajisjet elektro-shtëpiake, deri te dëmtimet strukturore të banesave. Banorët jetojnë me frikë se mund të përmbyten sërish!
“Për ata dy djem që më kanë vdekur e më kanë lënë vetëm, në shtëpi s’ka mbetur asgjë! Nga shteti dua që të pastrojë kanalet se po erdhi sërish Vjosa na mbyti fare”, tha një e moshuar.
“Flemë në lagështirë. Jemi të sëmurë. Muret janë të lagura lëmë gjithë ditën e natën, dyert e dritaret të hapura. Divanet, krevatet, dollapet të gjitha janë shkatërruar. Shteti duhet të na dëmshpërblejë që të blejmë pajisjet e reja”, thanë të tjerë banorë.
Tokat e mbjella me grurë e foraxhere tashmë janë kthyer në këneta, nuk mbillen më deri në pranverë. Banorët thanë se humbjet në bujqësi janë me të mëdha.
Nga verifikimi ka rezultuar se 70 banesa të përmbytyra ndodhen jashtë argjinaturës së lumit, ndërsa 50 të tjera janë brenda argjinaturës dhe të ndërtuara pas viteve ’90. Banorët janë skeptikë për një kompensim të shpejtë, duke përmendur dhe faktin se pas 5 vitesh kanë marrë pagesën për përmbytjet e 2021-shit.
Nënkryetari i Bashkisë Fier, Nusret Avdullai, deklaroi se brenda dy-tre ditëve listat do t’i kalojnë Këshillit të Qarkut për vlerësim financiar. Pagesat do të bëhen në llogaritë bankare të banorëve, por nuk ka një datë të saktë për përfundimin e procesit, pasi vlerësimi i 120 banesave është voluminoz dhe Këshilli i Qarkut nuk ka kapacitete të mjaftueshme për perfunduar procesin ne kohe te shpejte.
Komente








