Për ata që ndjekin verbërisht Sali Berishën

Për ata që ndjekin verbërisht Sali Berishën

Sali Berisha

“25 PRILLI, DITË E ZEZË NË HISTORINË E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI"

Kështu titullohej shkrimi i Sali Berishës i botuar më 28 prill, 3 ditë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe një ditë pas deklaratës së parë të Lulzim Bashës për ato zgjedhje, e cila u komentua gjatë për shprehjen “...beteja sapo ka filluar...”

Si nëntituj, meqenëse Doktori është edhe mjeshtër i gjetjeve gazetareske, editoriali i tij mbante:

“Zgjedhjet jo demokratike!

Mandat mbi drogën, krimin, blerjen dhe abuzimin me pushtetin!

Vota e lirë e shqiptarëve u ekzekutua para se të hidhej në kuti!”

Më tej, në një postim të gjatë, Doktori ynë serioz dhe i besueshëm nga të gjithë demokratët, analizonte me të drejtë arsyet e humbjes së Partisë Demokratike në ato zgjedhje, se Doktori është i gjithëditur dhe ka informacione edhe për ato që të tjerët nuk i shohin, ka burimet e veta, brenda strukturës shtetërore dhe, mbi të gjitha, Qytetarin Digjital, i cili e informon, thuajse, për gjithçka.

Si argument kryesor, shkrimi i Doktorit kishte faktin se “vota e lirë e shqiptarëve u dhunua para se të hidhej në kuti...”, duke renditur arsyet e mëposhtëme:

1.      Nga droga. Sipas Doktorit në shkrimin e 28 prillit, “viti 2020, pra viti para zgjedhor, ishte viti në të cilën me ftesë të kreut të narkoshtetit, Shqipëria u mbulua me kanabis de juro medicinalis, kurse de facto “electoralis”.

2.      Narkoshteti. Sipas Doktorit në shkrimin e 28 prillit, “në këto zgjedhje, më shumë se në çdo fushatë tjetër, narkoshteti u shndërrua në makineri elektorale të Kreut të Meduzës”.

3.      Blerja e votës në zgjedhjet e 25 prillit ishte më masive se kurrë më parë. Sipas Doktorit në shkrimin e 28 prillit, “ajo u shndërrua në një mega treg pothuaj publik.... Me këto shuma janë blerë më së paku 10-12 mandate...”

Më pas Doktori ynë me të drejtë dhe me mjeshtërinë retorike që e ka karakterizuar gjithmonë ngre pyetjen:

“Në këto rrethana....: A duhej opozita të ndiqte këtë farsë elektorale?”

Dhe menjëherë vjen përgjigjja e Doktorit të madh, i cili, pa mëdyshjen dhe me vendosmërinë që e karakterizon thotë:

“Përgjigjja ime është e prerë Po!”

Shkrimi është i gjatë dhe sot, në përvjetorin e parë të humbjes së 25 prillit, unë iu riktheva sërish me vetëdijen e të lexuarit mes rreshtave, me idenë se mos gjeja ndonjë aluzion mes fjalëve, mos lihej të nënkuptohej në shkrim ndonjë nëntekst për ndonjë tradhëti të mundshme nga ana e Lulzim Bashës, për ndonjë konspiracion apo ndonjë mllef të akumuluar për vendimet e ndërmarra ndër vite.... Me një fjalë, iu riktheva sërish shkrimit me qëllimin e gjetjes së ndonjë mesazhi të nënkuptuar që tregonte për ndonjë të çarë në raportin mes tyre.

Por, për të keqen e synimit tim, nuk gjeta asgjë.

Nuk pashë në këtë shkrim asnjë akuzë për Peng Bashën, për shitësin e kauzave të opozitës, për njeriun e blerë nga Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare, për kryetarin më të zi që kanë pasur demokratët në këto 30 vite.

Nuk lexova në atë analizë “Rama na vodhi zgjedhjet dhe pengu i tij na tradhëtoi...”

Nuk lexova as një kërkesë normale dhe miqësore për t'u dorëhequr dhe për të hapur garën për kryetarin e ri në Partinë Demokratike.

Përkundrazi, ky shkrim i Doktorit vjen një ditë pas reagimit zyrtar të Bashës për rezultatin e atyre zgjedhjeve dhe noterizon qëndrimin zyrtar të PD-së së Bashës.

Domethënë, ky qëndrim i Doktorit dhe ai i Bashës një ditë më parë janë në sintoni të plotë.

Se çfarë qëndrimesh ka sot Doktori për atë rezultat dhe për njeriun e tij në krye të PD-së është e qartë dhe nuk ka asnjë vlerë përsëritja.

Madje, në “Foltoret” e tij të famshme, mes të tjerave, ka deklaruar se ai nuk do të ishte futur në zgjedhjet e 25 prillit, sepse rezultati ishte i shitur.

Këtë postim nuk e bëra për Sali Berishën, sepse ai është politikani me inkoherent që ka njohur politika e tranzicionit. Është politikani që ka akuzuar njerëz për vrasje dhe pastaj ka dalë në TV  në krahë të tyre dhe i ka mohuar, duke thënë se janë bërë për arsye politike.

Dhe demokratët ia kanë pranuar.

Këtë postim nuk e bëra as për Lulzim Bashën, sepse ai nuk punoi asnjë ditë të vetme gjatë 8 viteve në opozitë për të menduar se cila do të ishte e ardhmja e tij në PD pa mbështetjen e Sali Berishës dhe klanit të tij politik-mediatik-ekonomik. Dhe pësimi nga gabimi është mësim, nëse do ketë vlerë.

Këtë postim nuk e bëra as për atë masë të verbër që shërben si ushtri e partisë së të patruve. Atyre u është thithur truri me shiringë dhe në vend të tij iu është injektuar wall-i i facebook-ut të Sali Berishës: "What's on your mind? - Rroftë Sali Berisha ✌!"

Këtë postim e bëra për hir të Fakteve.

Nëse Faktet kanë rëndësi, sigurisht.

Por edhe për të treguar se, pavarësisht miopisë me ose pa dashje, është një kategori tjetër njerëzish që nuk mendojnë si turma edhe për shkak se nuk bëjnë dot rolin e budallait dhe nuk vetëgënjejnë dot vetveten.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aqifi: 25/04/2022 16:04

    Shyqyr qe te ka shpetuar truri nga shiringa!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Memaliaj, Balla: Performanca e policisë duket në total! Në një vit u parandaluan 163 ngjarje kriminale

Atentati në Memaliaj, Balla: Performanca e policisë duket në total! Në një vit u parandaluan 163 ngjarje kriminale