Në Akropolin e Butrintit, kërkimet arkeologjike vijojnë të hedhin dritë mbi historinë e qytetit antik dhe transformimet e tij ndër shekuj.

Në kuadër të projektit “Topografia Urbane e Butrintit në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetë”, për herë të parë në historinë e kërkimit shkencor në Butrint, është vënë në fokus të gërmimeve arkeologjike muri rrethues i qytetit të sipërm.

Gërmimet synojnë të zbulojnë programet fortifikuese dhe të kuptojnë më mirë organizimin urban të Butrintit në faza të ndryshme te zhvillimit të tij.

Këto gërmime ofrojnë të dhëna arkeologjike stratigrafike që mundësojnë datimin e murit rrethues të qytetit të sipërm dhe një lexim më të qartë të zhvillimit dhe ndryshimeve urbane të Butrintit gjatë mijëvjeçarit të fundit të jetës së tij, shek. V-XV të erës sonë.