Sezoni veror është një periudhë sfiduese për prindërit e punësuar, pasi me mbarimin e shkollës, fëmijët që ndjekin klasat fillore mbeten pa mbikqyrje gjatë orarit të punës së prindërve. Në këto kushte prindërit varen përherë nga zemërgjerësia e një prej familjarëve apo dashuria e pakursyer e gjyshërve për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.
Sigurisht, jo të gjithë fëmijët kanë fatin të jenë nën kujdesin e familjarëve dhe kjo shkakton shpesh herë stres të madh te prindërit.
ALBtelecom ka në gjirin e vet shumë prindër që përballen me këtë situatë dhe ka vendosur të japi zgjidhjen e tij për problemin, një zgjidhje që ofrohet për herë të parë në Shqipëri nga një punëdhënës privat. Nga sot, korporata po organizon në ambientet e veta “Summer Smiles”, një kamp veror dedikuar këtyre vogëlushëve. Në këtë mënyrë prindërit do të mund t’i kenë sa më pranë fëmijët e tyre edhe gjatë orarit të punës.
Fëmijët pjesëmarrës të moshave nga 5-8 vjeç po mentorohen nga skuadra mbikqyrëse, të organizuara në grupe. Ky kamp veror, në fakt po funksionon si një akademi e mirëfilltë. Mes buzëqeshjeve dhe kujtimeve të bukura, vogëlushët do të krijojnë edhe artin e tyre, duke u angazhuar në aktivitete artistike dhe duke u ushtruar me lojëra formuese.
Kampi “Summer Smiles” po zhvillohet i gjithi në gjuhën angleze, në këtë mënyrë fëmijët do të mësojnë apo përmirësojnë edhe këtë gjuhë të huaj.
Kjo nismë, e organizuar për herë të parë në Shqipëri nga një korporatë është pjesë e një vizioni më të gjerë që ALBtelekom ka në lidhje me frymën në të cilën punon stafi i saj. Kontributi profesional i punonjësve varet edhe nga shumë faktorë të jashtëm dhe nisma të tilla veçse e përmirësojnë mjedisin e punës, duke e bërë më të shëndetshëm dhe më social.