Për herë të parë një Kuvend Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore

 

Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe hapi siparin sot me një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave në Tiranë, duke shënuar fillimin e një forumi dyditor, ku do të diskutohet për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne.

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama për të dhënë mesazhin e tij ne Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ndal te rëndësia e gjuhës shqipe si shtylla kryesore e identitetit kombëtar dhe e historisë sonë.

“Për ne, shqiptarët, gjuha përfaqëson shpirtin e kombit dhe rrugëtimin historik të qytetërimit tonë. Gjithçka që kemi jetuar si popull, sot mund ta shohim të dëshmuar përmes gjuhës. Ky Kuvend na bën bashkë për të mbrojtur, për të forcuar dhe për t’u krenuar me trashëgiminë tonë gjuhësore. Shpallja e datës 22 nëntor, Dita e Kongresit të Manastirit, e Alfabetit tonë, si festë kombëtare, si dhe viti 2024, Vit i Gjuhës Shqipe, pasqyron qartazi rëndësinë që i kemi dhënë çështjes së ruajtjes, promovimit dhe zhvillimit të gjuhës sonë kombëtare. Zhvillimet e vrullshme teknologjike, lëvizjet masive të popujve, përballja me kultura të tjera kërkojnë një përgatitje të mirë dhe të thelluar sidomos në gjuhë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe Ministria  e Arsimit është angazhuar për modernizimin e sistemit arsimor, duke nisur me përditësimin e Kornizës Kurrikulare.

“Gjatë Vitit të Gjuhës Shqipe nisëm procesin e Modernizimit të Kornizës Kurrikulare dhe që pasohet nga ndryshimet e kurrikulave bërthamë, përditësimin e programeve lëndore, një dokument që drejton vëmendjen drejt sfidave të mësimdhënies, përafron strukturën e programeve me kompetencat e reja që nxënësit duhet të përvetësojnë. Kemi nisur punën për kurrikulat e reja bërthame, programet e reja lëndore, duke filluar nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia, për të hartuar e punuar tekste të përditësuara, për të siguruar mjete digjitale dhe burime multimediale për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës sonë.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Një nga prioritetet e qeverisë shqiptare është dhe mbështetja për diasporën. Në fjalën e saj, Ministrja nënvizoi se në vitin e shpallur si Vit i Gjuhës Shqipe, mbështetja për gjuhën shqipe në diasporë merr një rëndësi të veçantë me financimin e Programit “Mësues për Greqinë,” i cili siguron mbështetje për mësuesit që japin mësim në diasporë.

“Për herë të parë qeveria shqiptare do të financojë, Programin e parë “Mësues për Greqinë” për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, duke shpërblyer financiarisht me dhjetra mësues që mësojnë shqip shqiptarve në diasporë. Kjo nismë e kthyer tashmë në një vendim të qeverisë, do të përbëjë dhe bazën për mundësinë e shtrirjes edhe në vende të tjera ku mësimi i shqipes vijon në mënyrë vullnetare, me një përkushtim për t’u admiruar nga shoqatat atdhetare në mërgatë.”, deklaroi Ministrja Manastirliu.

Në fund Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit mes profesorëve, akademikëve dhe mësuesve për të ruajtur dhe pasuruar fjalën shqipe.

“Profesorët dhe akademikët s’e kanë të lehtë të mbërrijnë kudo, por duhet të ruajnë rrjetet e komunikimit me ish-studentët e tyre, tashmë mësues, për ta vjelë fjalën shqipe. Ndaj është e domosdoshme të projektohet puna për një Atlas të ri dialektor të shqipes e për këtë do të keni mbështetjen tonë.”

Gjatë hapjes së Kuvendit, u dhanë mesazhe dhe nga akademikë dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit të lartë.


Lajmi kryesor:

Nesër publikohet drafti i fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe, Rama: E hedhim në konsultim publik! Të mbrojmë shqipen nga barbarët e rrjeteve sociale


SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari