Për mjekët dhe politikën

Për mjekët dhe politikën
Eshtë e vërtetë. Më 21 janar 2011 mjekë të autorizuar, drejtues të atëhershëm të Spitalit Ushtarak deklaruan para mediave se viktimat ishin qëlluar me armë nga afër… e thanë në momente të jashtëzakonshme të një tensioni publik të lartë. Deklarata aq e shpejtë në mbështetje të tezës së kryeministrit të atëhershëm, dukej qartë një tentativë për të orientuar opinionin publik ndaj asaj që po përgatitej: Protestuesit u vranë nga të tjerë protestues. E vërteta ishte ndryshe: Protestuesit u vranë nga gardistët të pozicionuar brenda selisë së Qeverisë, me urdhër të eprorëve të tyre për të qëlluar.
 
Nëse më 21 janar mjekët dhe opinioni publik nuk e dinte akoma se kush kishte qëlluar dhe çfarë kishte ndodhur, tashmë është e qartë që një mendje më sipër tyre, kishte nisur manipulimin dhe u kërkonte të deklaronin atë që ata deklaruan. Mjekët edhe këtë herë me dashje apo pa dashje ishin qartazi viktimë e presionit të politikës ose zëdhënës të tyre.
Dhe është politika ajo që mban prej 20 vitesh nën presion figurën e brishtë, por të domosdoshme të mjekut; njeriut që është në kontakt me njerëzit, “votuesit”, në momentin më të keq të ekzistencës së tyre: kur janë të sëmurë, të pambrojtur, nevojtarë ndihme për mbijetesë. Por mjeku, nën presionin e politikës dhe të mungesës së rregullave dhe mjeteve, është akoma më i sëmurë se vetë pacienti.
 
Mjafton të shkosh në një nga spitalet e QSUT-së për të kuptuar se në ç’rrethana punojnë mjekët edhe se besoj fort se shumica e tyre nuk i janë futur këtij profesioni me dëshirën për t’u korruptuar.
Doktor Agim Sallakun, Shefin e Spitalit Onkologjik brenda QSUT e takova për të folur për të realizuar bashkë me grupin tonë mediatik një mundësi në përmirësimin e kushteve për pacientët e këtij spitali. Bëmë bashkë konferencën e sensibilizimit për Kancerin e Gjirit në Tetorin e kaluar dhe rezultatet ishin vërtetë shumë të mira.
Nuk më kishte rastisur të shihja më parë Onkologjikun në Tiranë dhe dua të ndaj me këtë rast disa përshtypje.
 
Në hyrje të godinës, aty ku ishte recepsioni, një numër rreth 30 apo më shumë pacientësh apo familjarësh të tyre mbulonin, (gati ishin hedhur sipër recepsionistes) duke kërkuar shërbimet e ndryshme. Që sot Onkologjiku do të nisë sistemin e ofrimit të shërbimeve sipas radhës me numra dhe ndoshta kjo ishte dita e fundit e asaj skene që të sillte në mendje Fundin e Botës.
 
Një polic në derë lejonte më pas kalimin pasi tregohej fatura e prerë te recepsioni. Por korridoret e katit të parë, brenda, nuk ishin më të qeta. Dhjetëra pacientë, familjarë, hallexhinj, lejonin me vështirësi kalimin e mjekëve, personelit apo cilitdo tjetër. Doktoresha që po na shoqëronte të shihnim dhomën modeste të marrjes së kimioterapive u tërhoq disa herë nga përparësja, familjarë kërkonin të dinin për të sëmurët e tyre, ashtu kalimthi, në sy të të gjithëve. Kërkonin një fjalë nga mjekja në kushte të jashtëzakonshme dyndjeje. Aty në mes të korridorit pashë dhe onkologen e re, blogeren e Shqiptarja.com Brunilda Haxhiun, e përshëndeta shpejt, duke folur kalimthi ndërsa rryma e njerëzve në korridor më çoi mua në një drejtim dhe Brunildën në anën tjetër.
 
Unë nuk e di se në ç’vend mjekët mund të punojnë në këto kushte? Edhe në luftë, në zona të nxehta, mjekëve u krijohen rregullat, kushtet. Kur një mjek punon, heshtin dhe plumbat, ndërsa në spitalin tonë të patologjisë më të rëndë mjekët e pacientët ishin në një realitet lufte në kohë paqeje e 20 vjet demokraci.
Këto kushte krijojnë tensionet, pakënaqësitë dhe mundësitë për të korruptuar. Këto kushte bëjnë që mjeku të jetojë e punojë i përulur, ndërsa pacienti i pakënaqur dhe i shtypur. Janë këto kushte të krijuara nga politika që ende sot nuk ka krijuar mundësinë që një mjek edhe në spitalin ku punon, pa qenë nevoja të marrë vrapin nëpër spitale private nga një cep në tjetrin në Tiranë,  të ushtrojë përmes rregullave të qarta vizitat falas për pacientët e pajisur me librezë shëndetësore dhe vizitat me pagesë në orar të caktuar për ata pacientë që e kanë mundësinë të paguajnë dhe dëshirojnë të kapërcejnë radhën e vendosur nga Sistemi Shëndetësor Publik.
 
Kjo është mënyra që të lehtësojë e zbrazë korridoret e mbipopulluara me vuajtje e të pakënaqur: Rregullat e qarta për mjekë e pacientë dhe furnizimet periodike me ilaçe. Çdo vonesë në ilaçe, në shërbime, pengon rrjedhjen normale të një energjie të bllokuar nga vendime të mbrapshta politike. Pas kësaj shohim se sa të nënshtruar do të vazhdojnë të jenë mjekët ndaj politikës dhe sa të pakënaqur pacientët ndaj mjekëve.
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues