Primabalerina Anbeta Toromani me partnerin e saj Alesandro Macario i janë bashkuar suksesit të Operës “Carmen” në Tiranë.

E pikasur menjëherë në skenë dhe bekuar me shenjen e origjinalitetit mes balerinëve të tjerë, Toromani tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë vallëzimit për operën “Carmen”. Çdokush e ka kuptuar motivin e primabalerinës që është shprehur pak ditë më parë se “nuk ka kurrë role të vogla”.

Me modesti Toromani ia ka dedikuar suksesin e kësaj opere Vikena Kamenicës që interpreton vet Carmenin.

E megjithatë përfshirja e primabalerinës shqiptare me Alesandro Macarion në këtë premierë është bërë plot përkushtim. Vallëzimi elegant i çiftit më të njohur të balerinëve në Itali është duartrokitur nga publiku që me daljen e tyre në skenë.

Nuk kishe si të mos vëreje mënyrën e veçantë të qëndrimit të Toriomanit, e cila arrinte ta përcillte interpretimin e saj, jo vetëm me lëvizjet fluturuese të këmbëve dhe të duarve, por edhe nëpërmjet portretit, qafës e shpinës. Çifti simpatik krijoi figura të bukura dhe sensuale në skenë, duke harmonizuar simbolikën e muzikës së Bizet me përjetimet shpërthyese të vet Carmenit si personazh.

d.c./shqiptarja.com