Biznesmeni nga Arabia Saudite, Mushref Al-Ghamdi ka paguar 2.5 milionë euro për një biletë në ndeshjen mes 11 yjeve që luajnë në kampionatin e Arabisë Saudite dhe PSG-së. Dueli miqësor që luhet nesër në "MrSool Park" në Riad pritet me interes, për vetë faktin se Ronaldo debuton në kampionatin e ri, pikërisht në një përballje me Messin.
Me mbi 2 milionë kërkesa për bileta, disa prej tyre kanë dalë në ankand dhe shuma më e lartë e ofruar ishte ajo e biznesmenit Al-Ghamdi. 11 yjet miks të ekipeve Al-Hilal dhe Al Nassr do përballen me ekipin e PSG, teksa Messi dhe Ronaldo do jenë në fushë nga minuta e parë.
Dueli ka zgjuar interesin e shumë tifozëve, teksa PSG do fitojë 10 milionë euro nga kjo miqësore. Me fat edhe biznesmeni Mushref Al-Ghamdi, që përveç shikimit të ndeshjes, do ketë mundësinë të marrë pjesë në ceremoninë e fituesit dhe të hyjë në të dyja dhomat e zhveshjes, që do të thotë se mund të takojnë Ronaldon dhe Messin.