TIRANË – Pak orë pasi qeveria miratoi dy emërimet e reja në dy ministry, në PDIU janë shfaqur përplasjet e para. Deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri i kontaktuar nga Shqiptarja.com ka shprehur pakënaqësi për emrat, të cilët që prej ditës së sotme përfaqësojnë PDIU në ministrinë e Kulturës dhe atë të Arsimit.
“ Zyrtarisht nuk jam në dijeni për emrat e rinj të zëvendësministrave. Gjithcka e mora vesh nëpërmjet medias, pasi partia jonë nuk ka as kryesi dhe asnjë strukturë tjetër”, shprehet Tahiri.

Si i vlerësoni emrat e përzgjedhur për zëvendësministra?
Nuk kam asgjë personale me askënd. Por, nuk jam dakord që në qeveri nuk po përfaqësohet komuniteti çam i Saranndës, Fierit dhe Vlorës. Nuk duhet të harrojmë që votat në këto tre qytete na sollën këtu ku jemi sot. Dhe është e pafalshme që elektorati ynë në këto qytete të mos përfaqësohet.

A keni kontaktuar me kryetarin Idrizi për t’ia shprehur këtë shqetësim?
E kam të pamundur të kontaktoj sepse zoti Idrizi prej shumë orësh e ka të fikur telefonin.

A ka patur konsultime me ju lidhur me këta emra?
Asnjë konsultim. Tano dhe Hado janë të dy aktivistë të partisë tonë vetëm pas vitit 2009, ashtu sikurse është deklaruar çam pas zgjedhjeve të këtij viti edhe vetë kryetari Idrizi.

A do t’i qëndrojë PDIU kërkesës edhe për 2 zëvendësministra në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Ekonomisë?
Tanimë unë s’mund të flas më për vendime sepse duket që po bëhen të njëanshme të gjitha emërimet.


BISEDOI: ALBANA QEHAJAJ

(aq/shqiptarja.com)