Vetëm pak orë më parë një video ku Cristiano Ronaldo shfaqet duke kërcyer në një klub nate në Las Vegas së bashku me gruan që e akuzon për përdhunim, bëri xhiron e rrjetit. Pak pas këtij publikimi të bujshëm, ylli i Juventusit ka reaguar me anë të dy statuseve në Twitter.
“Mohoj kategorikisht çdo akuzë që po lëshohet ndaj meje. Përdhunimi është një krim i neveritshëm, i cili qëndron në kundërshtim me atë çka unë besoj. Refuzoj të ushqej një spektakël mediatik të krijuar nga njerëz që kërkojnë të promovohen në kurrizin tim,”- shkruan Ronaldo dhe pas një minute ka bërë një tjetër status.
“Ndërgjegjja ime e qetë do më lejojë të pres me qetësi rezultatet e çdo hetimi,”- vijon më tej CR7.
Kathryn Mayorga e ka akuzuar futbollistin për përdhunim. Mayorga është shprehur se pas një nate të gjatë në një club, Ronaldo e ka përdhunuar në një hotel në Las Vegas. Lajmi u publikua nga gazeta gjermane “Der Spiegel”, e cila do të përballet me futbollistin pasi ky i fundit e ka paditur për shpifje.