TIRANË- Familja e 15-vjeçares së përdhunuar nga roja i shkollës dhe 3 shokët është larguar nga lagjja ku jetonte më parë drejt një tjetër qyteti. Një gjë e tillë u bë i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Merita Xhafaj në mbledhjen e  “Aleancës së Grave Deputete”, e cila sqaroi se ky vendim është me qëllim mbrojtjen e vajzës dhe familjarëve të saj pasi jetonin në një pallat me abuzuesin.

“Vajza sot është në rrezik për krim pasi brenda një hyrje në pallat, në katin e dytë banon dhunuesi dhe djemtë e tij rrinë te shkallët, dhe në katin e 3 banon familja me vajzën.  Është duke u dhënë ndihma mjeko ligjore, që nga ora 12 e drekës pranë qendrës “Lilium” ku do të strehohet për 72 orë. Ndërkohë pas shumë përpjekjesh me familjen, më në fund ka pranuar që të lëvizë", tha Xhafaj. Për deputeten Vasilika Hysi kjo ngjarje ka dëshmuar se kanë dështuar të gjitha institucionet për mbrojtjen e fëmijëve,

“Ne kemi dështuar në mbrojtjen e fëmijëve, ju mund të thoni se jemi shumë mirë por mua më vjen turp, jemi të dështuar. Po të bëjmë sot një fushatë në të gjithë shkollat dhe të kërkojmë nga fëmijët se kush i ka ngacmuar besoj se shifrat do të jenë shumë të larta dhe ne të tëra nuk do të kemi fytyrë jo vetëm të bëjmë kështu mbledhje,  por të dalim në rrugë. Si mundet policia komunitare që shikon parrullat dhe nuk njofton nuk reagon. Në kuadër të kësaj ne si deputete duhet të bëjmë një nismë konkrete, përndryshe le të lëmë mandatet dhe të vijojmë karrierat tona ku ne mund të bëjmë më shumë”, është shprehur Hysi.

Nga ana tjetër, deputeja Mimi Kodheli fjator është edhe sistemi arsimor, e ndërsa ka hedhur akuza të rënda për mësyesit, sipas së cilët nuk po e kryejnë siç duhet misionin e tyre. “Dikur ne mësuesit i konsideronim si prindërit tanë të dytë, të ka marrë në telefon prindi, të paktën unë i takoj asaj gjenerate, dhe mësuesja merrte në telefon dhe thoshte se pse ka munguar fëmija.  Por sot zysha tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë të bësh ditarin tërë ditën, të lysh edhe flokët, sytë buzët, vetulla me funde e minifunde. Zysha tona kanë qenë të pamartuara dikur por sot s'merret vesh se kush është bërë zyshë. Do ta marrim këtë situatë në dorë apo do flasim”, ka thënë Kodheli. 

Gratë deputete u zotuan për përmirësimin e kuadrit ligjior për të identifikuar dhe parandaluar në kohë abuzime të tilla me të mitur si ai që u bë publik dy ditë më parë.