Sergio Perez, i cili këtë sezon rikthehet në Formula 1 me skuadrën debutuese Cadillac, ka 'hapur zemrën' për përvojën e tij të vështirë te Red Bull, aty ku kaloi katër sezone në hijen e Max Verstappen, duke përjetuar rolin delikat të “numrit dy”.

Pas një viti larg timonit, piloti meksikan ka folur hapur për presionin e jashtëzakonshëm që përjetoi në 'Milton Keynes', duke zbuluar se gjatë asaj periudhe iu drejtua edhe ndihmës psikologjike.

“Ishte një situatë shumë e vështirë për t’u përballuar. Vetëm ata që janë jashtëzakonisht të fortë mendërisht mund të rezistojnë në kushte të tilla”, rrëfen Perez, duke shtuar se çdo seancë me psikologun i kushtonte plot 7 mijë euro.

Historia mes Red Bull dhe Perez përfundoi papritur në fund të vitit 2024, kur pas një sezoni zhgënjyes, Helmut Marco vendosi të ndërpresë kontratën dy vjeçare të firmosur vetëm pak muaj më parë. Megjithatë, vështirësitë kishin nisur që në fillim.

“Që kur mbërrita, rezultatet nuk vinin dhe më sugjeruan të shkoja te një psikolog”, tregoi Perez në podkastin “Cracks”. Por surpriza erdhi më vonë: “Më erdhi një faturë prej 7 mijë eurosh për një seancë të vetme. U thashë t’ia dërgonin Helmut Marcos… dhe në fund ai e pagoi”.

Situata u komplikua edhe më shumë nga bashkëjetesa me kampionin botëror, Max Verstappen.

“Ishte një ferr i vërtetë, ndoshta roli më i keq që mund të të ndodhë në Formula 1”, shprehet meksikani.

Sipas Perez, prioritetet e skuadrës ishin të qarta që në fillim.

“Në takimin e parë, Horner ma tha hapur se makina ishte ndërtuar sipas nevojave të Maxit dhe se Red Bull përdorte dy makina vetëm sepse rregullorja e kërkonte”.

Kjo filozofi reflektohej edhe në pistë. “Të ishe më i shpejtë se Max ishte problem. Të ishe më i ngadaltë ishte edhe më keq. Gjithçka ishte problem. Dhe kur fitoja unë, atmosfera bëhej jashtëzakonisht e tensionuar”, përfundon Perez.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?