Përfaqësuesi i BB-së në Shqipëri, Salinas: Investim 900 mln euro për disa projekte! 3 shtyllat mbështetëse ku do të fokusohemi

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas, gjatë një konference me kryeministrin Edi Rama, u shpreh se kanë diskutuar për disa projekte të cilat do t’i financojë Banka Botërore. Salinas u shpreh se janë tre shtylla kryesore ku do të investojnë, ndërsa theksoi se në 4 vite të zbatimit të projekteve do të investohen 900 mln euro.

‘Në fakt jemi mbledhur sot për diçka që asnjëherë nuk kemi pasur në historinë e partneritetit me Shqipërinë. Banka botërore ka 30 vjet që punon në Shqipëri dhe kur kthejmë kokën pas shohim që është arritur shumë përmes bashkëpunimit, por sot donim të shënonim ngjarjen  e miratimit tw kuadrit të ri të partneritetit me vendin që në thelb përcakton kontratën tonë me ju, me Shqipërinë. Pra për çfarë angazhohet Banka Botërore që të realizojë për ju, gjithashtu dhe për popullsinë shqiptare në 4-5 vitet në vijim. Në kuadër të këtij partneriteti jemi përqendruar apo jemi zotuar për t’u përqendruar në tre gjëra: më shumë vende pune më të mira për popullsinë shqiptare, por sidomos për rininë dhe për gratë. Mendojmë se është arritur shumë në këtë drejtim, por ka dhe shumë për t’u bërë. Ne e vendosim theksin tek pjesa më e mirë, pra punë më të mira sepse natyrisht ka tashmë vende pune që po krijohen, por ne mendojmë që në të ardhmen sfida jonë është që të krijojmë vende më të mira pune, mundësi më të mira, për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve këtu në vend dhe për të krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të kenë jetë produktive në vend. Shtylla e dytë e strategjisë sonë përqendrohet tek kapitali njerëzor, forcimi dhe përdorimi më i mirë i kapitalit njerëzor. Dhe çfarë duam të themi me këtë është se siç e dimë të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, por ne mendojmë që së bashku mund të vazhdojmë trajektoren në kuptimin e forcimit të kapitalit njerëzor dhe jetët produktive në vend, duke vijuar me përmirësimit e shëndetësisë, së arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike gjithashtu.

Mendojmë që është arritur shumë në këtë drejtim. Kemi punuar së bashku me qeverinë e Shqipërisë për shëndetësinë gjatë këtyre viteve të fundit, sidomos për rindërtimin e spitaleve dhe gjithashtu dhe për përmirësimin e  cilësisë së shtrirjes së kujdesit shëndetësor te publiku. Por mendojmë që ka mundësi për të bërë më shumë në të ardhmen. Sa i takon arsimit jemi shumë të lumtur që të nisim të punojmë për të përmirësuar aftësisë digjitale për fëmijët dhe presim me shumë padurim për mundësi të tjera, për të bërë më shumë për këtë gjë. Së treti, shtylla e tretë e strategjisë sonë përqendrohet tek qëndrueshmëria, rezistenca. Siç e dimë kur kthejmë kokën në 3 deri në 5 vitet e shkuara duket sikur çdo vit ka një krizë, një krizë të madhe. Ne e dimë që Shqipëria ka qenë e prekur nga këto kriza dhe ajo për të cilën do të punojmë së bashku me qeverinë është të rrisim rezistencën për krizat e ardhshme, rezistencë financiare të aseteve fizike, të përmirësimit të infrastrukturës për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen dhe sidomos edhe përmirësimin e menaxhimit të katastrofave në përgjithësi.

Jemi shumë të gëzuar që nisim këtë kuadër të ri partneriteti në mënyrë mjaft të konsoliduar. Në të njëjtën kohë ia kemi prezantuar këtë kuadër bordit në Washington dhe i kemi prezantuar 4 ndërhyrje të reja. Kjo është diçka që nuk është bërë, jo vetëm në Shqipëri, por askund në asnjë vend në rajon, në Europë dhe Azinë Qendrore, me gjasë as në rajonet e tjera. Për ne kjo është një dëshmi shumë e mirë e partneritetit të fortë që kemi, por po kështu e angazhimit mjaft të fortë të homologëve nga qeveria me të cilët ne kemi bashkëpunuar, për të arritur tek kjo pikë. Mund të shohim në vend te parë sesi njerëzit kanë punuar me orë e orë të gjata, kanë punuar nw fundjave, me një nivel mjaft përulës angazhimi për të  realizuar të gjithë këtë. Ky është vetëm një hap i parë. Pra është vetëm miratimi i projekteve dhe tashmë duhet të lëvizim drejt zbatimit. Por jemi mjaft të inkurajuar, jemi mjaft të përulur ndonjëherë, jemi mjaft të vetëdijshëm që po i marrim kohë kolegeve nga qeveria kur duam të punojnë përtej orarit të punës,  por njohim dhe pranojmë angazhimin e fortë të të gjithëve për të punuar në këtë pikë. Siç e tha dhe kryeministri, kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë për 4 vitet në vijim 900 milionë euro, tranzhi i parë i projekteve është 360 milionë euro dhe presim një tjetër projekt që të miratohet së shpejti për 60 milionë euro. Për t’ju dhënë një ide të objekteve apo fushëveprimit të projekteve, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës kemi punuar për një projekt, i cili do të trajtojë urat në rrezik nga goditjet natyrore. Ka një sërë urash të tilla dhe duhet të lëvizim me shpejtësi për të përmirësuar rezistencën e këtyre urave. Është një program i fortë dhe mjaft i madh dhe jemi shumë të prirur që të nisim shumë shpejt me të. Ka një sërë urash që janë identifikuar tanimë.

Duke nisur qysh prej fillimit, së bashku me Ministrinë e Financave kemi punuar për të rritur rezistencën fiskale të Shqipërisë.  Por po kështu edhe për mbështetjen e rritjes së gjelbër të ekonomisë në të ardhmen përmes një pakete mjaft të konsiderueshme veprimesh dhe reformash dhe u jemi mirënjohës Ministrisë për udhëheqjen e tyre, jo vetëm në këtë ndërhyrje, por edhe në pjesën tjetër të programit. Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë ne do të punojmë për të rritur rezistencën e bujqësisë ndaj ndryshimit klimaterik dhe për të përmirësuar konkurueshmërinë e sektorit për të rritur jo vetëm vëllimin e eksporteve por edhe cilësinë e eksporteve drejt BE dhe tregjeve të tjera gjithashtu.

Më pas së bashku me zyrën e kryeministrit, AKSH-in dhe Ministrinë e Arsimit ne kemi përpiluar një projekt, i cili sheh për nga agjenda digjitale e brezit të ardhshëm që përfshin, jo vetëm arsimin elektronik, por dhe ofrimin e aftësive digjitale për fëmijët në nivel shkollor.

Ky është tranzhi i parë i projekteve  dhe do të kemi dhe një tjetër, i cili do të vijojë me shpejtësi dhe që do të përqendrohet tek Lumi i Vjosës. Është shumë inkurajuese që pamë së fundmi që ai u përcaktua si një zonë e mbrojtur dhe do të punojmë së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndotjen e lumit dhe për marrjen e masave për t’u siguruar që lumi të mbetet i egër, por të mbete dhe i pastër në të ardhmen. Ky është grupi i parë i projekteve, kemi shumë më tepër gjëra në mendje. Mendojmë se kufiri është veç qielli këtu në Shqipëri sepse duke parë nivelin e bashkëpunimit këtu ai ashtë krejt i pashembullt krahasuar me vende të tjera ku vepron Banka dhe iu jemi mirënjohës të gjithëve që e bënë të mundur këtë gjë.

Siç e thashë në fillim, angazhimi ndaj jush, ndaj Shqipërisë është për t’i realizuar të gjitha këto në mënyrën më të shpejtë, më pak të kushtuese dhe më efikase. Presim gjithashtu me padurim që ju të na mbani përgjegjës kur vjen fjala për realizimin dhe dhënien e burimeve të premtuara. Do të ndalem këtu. ’- tha Salinas.


Lajmi kryesor:

Rama: Në 2022, rekord në eksport e turizëm, rezultatet sollën planin për rritjen e pagave, s'do marrim borxh! Përfaqësuesi i Bankës Botërore: Investim 900 mln euro për disa projekte


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia